Topi pret reporterët e KiE-së

04/04/2012 00:00

Kreu i Shtetit dhe anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të
Evropës vlerësuan dialogun e rivendosur midis mazhorancës dhe opozitës.

Nga bashkëbiseduesit, ‘Plani i Rishikuar i Veprimit’ në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, u vlerësua si një hap i domosdoshëm për të realizuar aspiratën e popullit shqiptar për integrim zyrtar në Bashkimin Evropian.

Në një takim të zhvilluar të mërkurën në ambientet e Presidencës, anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe njëkohësisht bashkëraportuesit për Shqipërinë, parlamentari çek Tomas Jirsa, parlamentari moldav Grigore Petrenco të shoqëruar nga Sekretari i Komisionit të Monitorimit të AP së Këshillit të Evropës, Bas Klajn,me kreun e shtetit Bamir Topi, diskutuan mbi zhvillime të tjera parësore të vendit, mbi ecurinë e deritanishme të reformave elektorale dhe parlamentare, mbi luftën kundër korrupsionit, për çështjet e pronave si dhe mbi hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011, për të cilat ndanë të njëjtën pikëpamje se “në një vend të vërtetë demokratik, mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës”.

Parlamentarët evropianë e siguruan Presidentin Topi për gatishmërinë e vazhdueshme të Këshillit të Evropës për të asistuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike, duke theksuar gjithashtu se “dëshira dhe vullneti i mirë për të punuar siç duhet, dhe miradministrimi i të gjitha potencialeve të vendit do të sjellin natyrshëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe fuqizimin e saj edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe evropiane”.

Nga ana e tij Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e misionit faktmbledhës dyditor të raportuesve dhe vlerësoi “bashkëpunimin shumëvjeçar e mjaft të frytshëm të vendit tonë me Këshillin e Evropës, në drejtim të forcimit të demokracisë e të shtetit ligjor, në mbrojtje të të drejtave të njeriut e tanimë, në mbështetje të aspiratave të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, sidomos në këtë etapë të rëndësishme të këtij procesi”.

Top Channel