Rusia: Ushtria e Assad s’do të mposhtet kurrë

04/04/2012 15:10

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, kundërshtoi ashpër planin për armatosjen e rebelëve në Siri, ndërsa theksoi se ata nuk mund të mposhtin kurrë një ushtri të mirëstërvitur dhe të armatosur “deri në dhëmbë” si ajo e Assad.

Sipas Moskës zyrtare, nëse vendet perëndimore dhe ato arabe do të ndërhyjnë duke furnizuar me municion kryengritësit, e vetmja gjë që do të bëjnë është shtyrja e Sirisë në një luftë të plotë civile, e cila mund të zgjasë me vite dhe të shkaktojë me qindra mijëra viktima.

Reagimi i Rusisë, një shtet që me të drejtën e vetos në OKB ka bllokuar disa paketa sanksionesh kundër regjimit të Damaskut aleat, erdhi pasi vendet e Gjirit Persik parashtruan të dielën planin e tyre për të paguar pagat e ushtarëve të Ushtrisë së Lirë Siriane.

Ndërkohë, gjithashtu të mërkurën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshuan një paralajmërim të ri ndaj autoriteteve siriane, për pasoja serioze nëse nuk do të respektojnë armëpushimin, për të cilin është marrë një aprovim paraprak dhe është vendosur data 10 prill si data e skadimit të afatit.

Plani parashikon tërheqjen e trupave ushtarake nga qytetet dhe rikthimin e tyre në baza, por për momentin, nuk ka asnjë shenjë se diçka e tillë është duke ndodhur.

Së fundmi, ngjarjet ndërkombëtare të lidhura me krizën siriane janë intensifikuar. Pas një takimi të “Miqve të Sirisë”, një grupim që grumbullon rreth 80 vende që përkrahin rebelët, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan kritikoi ashpër qëndrimin e superfuqive, duke i konsideruar si përgjegjëse për krizën.

”Vendet që mund të bëjnë diçka po rrijnë duarkryq, ndërsa regjimi i Damaskut po lyen gjithmonë e më shumë duart me gjakun e të pafajshmëve”, deklaroi Erdogan. Gjithashtu, xhaxhai i Bashar al-Assad, Rifaat, nga Londra ku jeton në azil, theksoi se nipi i tij nuk mund të qëndrojë shumë kohë në pushtet dhe nuk fshehu ambicien për t’u shndërruar ai në njeriun që do ta pasojë.

Top Channel