Përfaqësuesja e NATO-s në Shkup, Mariet Shurman deklaroi të mërkurën se Maqedonia do të marrë ftesën për anëtarësimin në Aleancë pasi të ketë zgjidhur çështjen e emrit.

“Maqedonisë nuk i duhet samit për t’u bërë anëtare e NATO-s. Në momentin që do të zgjidhet kontesti i emrit me Greqinë, atëherë do të vijë ftesa për anëtarësim, pasi ky vend i ka plotësuar të gjitha kriteret”, ka deklaruar Shurman.

Deklaratën e saj Shurman, njëkohësisht ambasadore e Holandës në Shkup, e ka bërë gjatë një takimi me gazetarët maqedonas, në cilësinë e shefes së zyrës së kontaktit të Aleancës.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Euro-Atlantik në Maqedoni, Lazar Elenovski ka thënë se, në vend po krijohen tensione të panevojshme në prag të samitit të NATO-s në Çikago.

“Kjo, pasi ky samit nuk do të jetë për zgjerimin dhe pranimin e vendeve të reja anëtare”, është shprehur Elenovski gjatë komunikimit të përbashkët me mediat.

Në ditët e fundit ishte kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç që deklaroi se Maqedonia do të mund të anëtarësohet në NATO vetëm pasi të ketë zgjidhur kontestin e emrit me Greqinë.

“Pas vendimit të fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me kontestin e emrit, vlerësoj se tani sërish duhet të bisedohet për statusin e këtij vendi, para së gjithash për anëtarësim në NATO”, tha Milanoviç.

Ai nënvizoi se çështja e emrit është e vështirë dhe ka theksuar se ajo nuk mund të zgjidhet me anë të përdorimit të forcës. Megjithatë, në një komunikim me qytetarë të ndryshëm në faqen e internetit You Tube, kryeministri kroat nënvizoi se mbështetja e Zagrebit për Shkupin nuk do të mungojë.

“Do të angazhohem për të ndihmuar Maqedoninë si partnere të barabartë dhe jo si një paciente në kuadër të proçesit të eurointegrimeve”, pohoi Milanoviç.

Top Channel