Partia më e madhe e opozitës në Kosovë, LDK, ka akuzuar të mërkurën qeverinë Thaçi për një dështim të vazhdueshëm në të gjitha fushat, në veçanti në atë për sundimin e rendit dhe ligjit.

“Sundimi i ligjit në Kosovë po përballet me sfida të shumta, të cilat tashmë, si rezultat i paaftësisë së qeverisë së Kosovës, po shndërrohen në defekte serioze e sistematike”, thuhet në një deklaratë të LDK-së.

Me këto probleme, ka vlerësuar grupimi politik i drejtuar nga Isa Mustafa, bashkohen edhe problemet në fushën e drejtësisë, që sipas saj vijnë si pasojë e ndërhyrjeve të vazhdueshme të qeverisë.

“Ndërhyrja e qeverisë me militantë politikë, me emërime politike dhe partiake të zyrtarëve të lartë në organet e shtetit, përben shkeljen tjetër të rëndë dhe kërcënimin e radhës për të ardhmen e shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Sipas LDK-së, rastet më të theksuara të emërimeve politike janë në Policinë e Kosovës, në njësitë speciale, në drejtorinë për krimet ekonomike, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimeve të rënda, terrorizmit dhe të tjera.

“Disa nga strukturat e Policisë së Kosovës janë mbushur me militantë partiakë dhe të strukturave ilegale partiake të PDK-së, të cilat veprojnë në interes të partisë në pushtet dhe të grupeve kriminale”, nënvizohet më tej në komunikatë.

Një tregues për këtë, sipas partisë së dytë më të madhe të Parlamentit të Kosovës, është arrestimi i shefit të task forcës anti-korrupsion, të krijuar nga vetë kryeministri Thaçi.

“Konstatojmë me shqetësim se kjo qeveri, përveçse është e paaftë të luftojë korrupsionin, është direkt e përfshirë në korrupsion dhe me njësitë që ajo vetë ka ngritur”, thuhet më tej në deklaratë.

Top Channel