Sulmohet me gurë një delegacion i qeverisë së Serbisë në Prishtinë i cili erdhi për të diskutuar lidhur me dokumentacionin kadastral që Serbia duhet t’ia kthejë Kosovës.
Nga ky sulm janë thyer xhamat e dy makinave zyrtare me të cilat po udhëtonte delegacioni i Serbisë. Ndërsa anëtarët e delegacionit janë parë duke qëndruar në stacionin numër katër në Prishtinë. Sipas policisë atyre u është ofruar ndihma mjekësore, por e kanë refuzuar pasi kanë konstatuar se nuk ka nevojë.
Pas disa orë qëndrimi në stacionin policor, delegacioni serb i ndodhur brenda makinave të Policisë së Kosovës është përcjellë deri në Merdarë po kështu edhe makinat e tyre të dëmtuara.
Drejtori i Agjencisë Kadastrale, Murat Meha konfirmoi takimin me delegacionin serb. Ai nuk dha më shumë detaje pasi për këtë është përgjegjegjëse zyra e shefes së delegacionit Edita Tahiri.
Takimet e anëtarëve të delegacioneve serbe dhe kosovare bëhen disa ditë pasi opozita, por edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka kërkuar që qeveria të rishqyrtojë pozitën e saj në këtë dialog, sidomos pas ngjarjes së rrëmbimit të dy policëve në kufi.
Top Channel