Arrestimi i shefit të Task Forcës, anti-korrupsion në Kosovë, Nazmi Mustafi nxiti reagimin e kryeprokurorit të shtetit Ismet Kabashi, qeverisë dhe shoqërisë civile.

Në një komunikatë për media Kabashi thotë se ekzistojnë informata të cilat e inkriminojnë prokurorin e arrestuar edhe për raste të tjera, për të cilat ai kërkoi ndihmën e qytetarëve.
 
“Me anë të kësaj deklarate shpreh indinjatën e thellë, për faktin se një prokuror i sistemit prokurorial dhe njëherësh udhëheqës i Task Forcës anti-korrupsion, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka rënë në kundërshtim me ligjin dhe dyshohet të ketë kryer vepra penale, për luftimin e së cilave vepra kishte pozitë kyçe në sistemin prokurorial”, thuhet në komunikatën e prokurorisë së shtetit.
 
Më tej në komunikatë thuhet se “ekzistojnë edhe raste të tjera të natyrës së njëjtë, me të njëjtin prokuror, andaj i ftoj publikisht të gjithë ata që kanë prova apo informata lidhur me këtë rast, që të na ndihmojnë duke i paraqitur informatat që i kanë tek kryeprokurori i Shtetit, prokurori i rastit në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë apo në Policinë e Kosovës”.

Taskë Forca anti-korrupsion në Kosovë ekziston prej tetë vitesh ndërsa prokurorët e saj janë mbështetur vazhdimisht nga qeveria e Kosovës. Por kjo për zëvendëskryeministrin Hajredin Kuci nuk do të thotë se ekzekutivi është i përfshirë në faktin se një prokuror rezulton i dyshuar për korrupsion.
 
“Prokurorët nuk i emëron kryeminstri. Qeveria i ka dhënë mbështetje prokurorisë që ta themelojë Task Forcën, porkurorët i cakton dikush tjetër dhe ne vetëm u sigurojmë buxhetin. Askush nuk është mbi ligjin, vendimet që vjnë nga drejtësia janë të respekuteshem ndaj kujtdo që vijnë. Unë jam i bindur që organet e drejtësisë do ta kryejnë punën e vet”, tha Hajredin Kuci, zëvendës/Kryeministër i Kosovës.
 
Por pjestarë të shoqërisë civile e thonë se ky rast dëshmon edhe njëherë për dëshine e mekanizmave të shumëfishtë të krijuara nga institucionet politike në Kosovë.
 
Nazmi Mustafi është prokurori i cili ka kryesuar Task Forcën anti-korrupsion në Kosovë ndërsa rastet e tij kryesisht ndërlidhen me krime ekonomike.

Emri i tij më së shumti është dëgjuar në rastin ish-guvernatorit Hashim Rexhepi, i cili pas 1 viti e gjysëm gjykim, u shpall i pafajshëm.

Veprat për të cilat po hetohet prokurori kosovar janë janë shpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar dhe ushtrim i ndikimit.

Denoncuesi i rastit është ish-likuidatori i Bankës Kreditore të Prishtinës, Pashk Mirashi nga Gjakova i akuzuar pikërisht prokurori Mustafi për korrupsion.

Ai kishte dërguar në prokurori dëshmi të cilat tregojnë se si prokurori Mustafi kishte kërkuar shuma të mëdha parash ose në të kundërtën do ta akuzonte, cfarë edhe e ka bërë. Por prokuroria speciale në mars të këtij viti pezulloi hetimet ndaj Mirashit, ndërsa vetëm një muaj më vonë pasoi arrestimi i shefit të Task Forcës anti-korrupsion.

Top Channel