India me nëndetëse bërthamore si fuqitë me veto

04/04/2012 19:40

India është shndërruar në vendin e gjashtë në botë që ka pjesë të forcave të tij të armatosura një nëndetëse bërthamore, pasi një nëndetëse e dhënë me qera nga rusët kaloi inspektimin e autoriteteve.

Me vlerë prej një miliardë dollarësh, nëndetësja i është dhënë me qera flotës indiane për dhjetë vitet e ardhshme. Ajo iu dorëzua një ekuipazhi indian në një port në Rusinë Lindore në muajin janar, por kaloi tre muaj inspektim të detajuar përpara se të shpallej në gjendje për të hyrë në shërbim.

Në të shkuarën, India kishte operuar një nëndetëse bërthamore sovjetike deri në vitin 1991. India i bashkohet superfuqive që kanë të drejtë vetoje në OKB, SHBA-së, Rusisë, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe, si shtetet e vetme në botë që zotërojnë një armë të tillë të shkatërrimit në masë.

Në një ceremoni në Gjirin e Bengalit, nëndetësja e pagëzuar me emrin “INS Chakra” u mirëprit nga udhëheqës të lartë shtetërorë, përfshi Ministri i Mbrojtjes, kryeadmirali, komandantë të tjerë të flotës dhe ambasadori rus në Nju Delhi.

Në ankorimin në port, marinarët indianë shpalosën me krenari një flamur të madh kombëtar, nën të cilin lexohej: “Flota indiane, një flotë bërthamore”.

Kapiteni i anijes, i cili u prit me nderime së bashku me stafin prej 80 marinarësh, ngriti në qiell aftësitë e nëndetëses, të konsideruar prej tij si “perla e flotës indiane”. “INS Chakra do të sigurojë sigurinë dhe sovranitetin e vendit”, deklaroi kapiteni Ashokan.

India është duke zhvilluar edhe një nëndetëse të sajën bërthamore, ndërtimi i së cilës pritet të përfundojë deri në fund të vitit.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi me flotën më të madhe të nëndetëseve bërthamore, me në total 71 të tilla. Rusia renditet e dyta, me 21, ndjekur nga Britania me 12, Franca dhe Kina me nga dhjetë secila dhe India me një.

Top Channel