Arrestohet “tigri” i Guatemalës

04/04/2012 18:45

Është arrestuar në Guatemalë mbreti i narkotrafikut, Horst Ëalther Overdick, 44-vjeç, i njohur ndryshe me pseudonimin “Tigri” dhe i konsideruar si bosi i parë i vendit që bëri aleancë me meksikanët e Los Zetas.

“Tigri”, i kërkuar nga drejtësia amerikane, është arrestuar gjatë një operacioni të forcave të policisë në një banesë në San Lukas, në perëndim të kryeqytetit.

Aktualisht ai po mbahet në arrest nën masa të rrepta sigurie, në pritje të gjykimit që do të japë dritën jeshile për ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara.

Ai akuzohet se është një aleat jetik i kartelit të dhunshëm meksikan të drogës, Los Zetas, i cili ka rritur influencën në Guatemalë në vitet e fundit.

Presidenti i vendit latin, Otto Perez Molina e cilësoi arrestimin e tij si “jashtëzakonisht të rëndësishëm” për luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërsa ministri i Sigurisë, Maurico Lopez deklaroi se Overdick ka luajtur një rol kyç në ndihmën që u është dhënë meksikanëve në provincën e tij të lindjes, Alta Verapaz.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara ai akuzohet për komplot me qëllim trafikimin e kokainës, akuzë për të cilën kërkohet dhe ekstradimi i tij.

Guatemala është një pikë e rëndësishme tranziti për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut në Amerikën Veriore, ku rolin kryesor e luajnë organizatat kriminale meksikane.

Në vitin 2010, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Alta Verapaz, për të luftuar pushtetin në rritje të kartelit famëkeq të Los Zetas.

Top Channel