11 Shtatori, atentatorët në gjyq

04/04/2012 18:50

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar zyrtarisht në gjykatë pesë të dyshuar si militantë të Al Kaedës që besohet se kanë planifikuar sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Pesë të burgosurit në burgun e Guantanamos, përfshirë “trurin” e atentateve, Khalid Sheikh Mohammed, do të gjykohen nga një komision ushtarak.

Ata përballen me një seri akuzash, mes të cilave terrorizëm, pengmarrje, komplot, vrasje dhe shkatërrim prone. Pentagoni ka konfirmuar se ata mund të dënohen me vdekje nëse shpallen fajtorë.

Khalid Sheikh Mohammed dhe katër të tjerët, Waleed bin Attash, Ramzi Binalshibh, Ali Abd al-Aziz Ali dhe Mustafa Ahmad al-Hawsawi, pritet të gjykohen së bashku, ka konfirmuar Departamenti i Mbrojtjes.

Vendimi për të çuar akuzat në një komision ushtarak vjen pas një debati të gjatë ligjor nëse pesë personat do të përballeshin me drejtësinë.

Administrata Obama fillimisht u përpoq ta transferonte gjyqin e tyre në një gjykatë civile në Shtetet e Bashkuara, por e ktheu këtë vendim në prill të vitit 2011, pas një kundërshtimi të fortë.

Pesë të pandehurit u akuzuan më parë në qershor të vitit të kaluar, me akuza të ngjashme që u ishin ngritur më parë nga administrata e George W. Bush.

Top Channel