Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli po zhvillon një vizitë dy ditore në Shkup, me ftesë të kryeparlamentarit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski.

Në ditën e parë të vizitës ajo ka takuar krerë e dy partive kryesore shqiptare në Maqedoni. Në takimin me liderin e BDI-së në pushtet, Ali Ahmetin, zonja Topalli, ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për ta ndihmuar Maqedoninë në rrugën e saj drejtë anëtarësimit në NATO. Po ashtu dy bashkëbiseduesit kanë folur edhe për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve.

“Me zonjën Topalli kemi folur për avancimet, për Marrëveshjen e Ohrit, për integrimin e vendit në NATO, për bisedimet sa i takon anëtarësimit të Maqedonisë në BE, investimeve të përbashkëta, infrastrukturës, do të thotë këto kanë qenë temat kyçe që i diskutuam me zonjën Topalli”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërsië Jozefina Topalli, në takimin me kreun e PDSH-së opozitare Menduh Thaci, ndër të tjera ka biseduar për situatën e shqiptarëve të Maqedonisë dhe incidentet e fundit ndëretnike.

“Po sigurisht folëm edhe për ato cështje. Vlerësimi im ishte se ndoshta ndonjë incident ka qenë spontan, por shumica e tyre kanë qenë si rezultat i një klime anti-shqiptare të kësaj qeverie. I dhashë vlerësimet e mia për trendet negative në Maqedoni dhe e dhashë shqetësimin kryesor se bllokimi i procesit euro-integrues të gjitha sëmundjet e Maqedonisë i bënë shumë më të ashpra dhe më të rënda”, deklaroi Menduh Thaci, kryetar i PDSH-së.

Pas takimit me liderët e partive shqiptare në Shkup, zonja Topalli ka vizituar shtëpinë muze të Nënë Terezës, Komunën e Çairit si dhe ka zhvilluar një takim pune me zv/kryeministren për Euro-integrime, Teuta Arifi.

Të mërkurën, në ditën e dytë të vizitës në Maqedoni, Topalli do të takoj kolegun e saj maqedonas, Trajko Veljanoski dhe do të ketë një fjalë përshëndetëse para deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë.

Top Channel