Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me vizitën e tij në Shtetet e
Bashkuara dhe me takimin e paralajmëruar me presidentin Barack Obama, ka
prishur axhendën e presidentit serb Boris Tadiç.

Kështu shkruajnë mediat serbe, sipas të cilave edhe Tadiç këto ditë duhej të vizitonte Uashingtonin dhe madje të zhvillonte edhe ai një takim me presidentin amerikan.

Por, sipas analistit Obrad Kesiç, një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi delegacioni serb nuk ka dashur që vizita e tij të përkonte me atë të Hashim Thaçit.

“Kjo vizitë ka rëndësinë e saj për kryeministrin Thaçi, pas arritjes së marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, ka deklaruar Kesiç për “B92”.

Tashmë janë konfirmuar dhe takimet e Thaçit në Uashington. Të mërkurën ai do të takoje sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, të enjten me zëvendëspresidentin Joe Biden, ndërsa takimi me presidentin Obama nuk është përcaktuar ende, por flitet se do të mbahet më 6 prill.

Gjithashtu, Thaçi do të takohet me zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes, atij të Tregtisë, si dhe senatorë e kongresmenë të shumtë amerikanë.

Përveç Uashingtonit, kryeministri do të qendrojë edhe në Nju Jork, ku do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe përfaqësues të vendeve anëtare të organizatës.

Nëse në takime do të diskutohet për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, atëherë kjo do të përbëjë një rikonfirmim të fuqishëm të mbështetjes së SHBA ndaj shtetit të ri të Ballkanit.

Nga ana tjetër, të martën dhe të mërkurën Kosova do të vizitohet nga një delegacion i Kongresit amerikan, i udhëhequr nga kongresmeni David Dreier. Anëtarët e delegacionit do të takohen me krerët e vendit ballkanas.

Top Channel