SHBA, 10 milionë për terroristin pakistanez

03/04/2012 08:15

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për Hafiz Mohammad Saeed, themeluesi i grupit militant me bazë në Pakistan, Lashkar e Taiba.

Saeed aktualisht drejton grupin Jamaat ud Dawa, që konsiderohet si dega kryesore e LET, përgjegjës për sulmet e vitit 2008 në Mumbai të Indisë.

Një shpërblim tjetër prej 2 milionë dollarësh është njoftuar ndërkohë për Abdul Rehman Makki, kunati i Saeed dhe bashkëthemelues i LET.

Të dyja grupet, Lakshar e Taiba dhe Jamaat ud Dawa, ndodhen në listën e zezë të administratës së Shteteve të Bashkuara.

Uashingtoni zyrtar njoftoi shpërblimet për kapjen e tyre ose për informacionet që do të çojnë në arrestimin e tyre. Sulmi 3-ditor i kryer në nëntor të vitit 2008 nga 10 atentatorë në Mumbai la 165 persona të vdekur.

Nga reagimi i policisë nëntë nga atentatorët mbetën të vrarë. Për sulmet në fjalë qeveria indiane fajësoi dy organizatat pakistaneze dhe marrëdhëniet mes Indisë dhe Pakistanit u përkeqësuan më shumë se kurrë.

Atentatori i vetëm i mbijetuar, pakistanezi Mohammad Ajmal Amir Qasab, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjykata. Apeli i tij është ende në pritje.

Saeed figuron gjithashtu në listën e personave më të kërkuar që India i ka dorëzuar Pakistanit. Nga ana e tij, grupi Jamaat ud Dawa mohon të veprojë si një njësi militantësh.

Top Channel