Dy policët kufitarë të Kosovës, Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, u
rrëmbyen rreth 150 metra në brendësi të territorit të Kosovës, nga
xhandarmëria serbe.

Të kontaktuar nga Top Channel, zyrtarë policorë për të treguar se ku është mbështetur vlerësimi se policët u rrëmbyen, kanë thënë se menjëherë të shtunën zyrtarë policorë nga Policia Kufitare, saktësisht një njësi e veçantë që merret me incidentet kufitare, ka dalë në vendin e ngjarjes.

Pas vlerësimeve në terren ata kanë arritur në përfundim se policët janë rrëmbyer rreth 150 metra brenda territorit të Kosovës.Ndërkohë, EULEX-i është duke vazhduar ende hetimet për atë që Prishtina zyrtare e quan rrëmbim të dy policëve kufitarë, paraditen e së shtunës.

Të dy policët, Sami Beqiri dhe Shukri Binaku, që sapo janë liruar të hënën, janë marrë në pyetje në stacionin e Policisë në Llozhan, afër Podujevës, dhe pas disa orësh ata janë dërguar edhe një herë në vendin e ngjarjes për të saktësuar vendin.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, i kontaktuar nëpërmjet telefonit ka thënë se “hetimet po vazhdojnë dhe se nuk mund te deklarojne ende se ku jane arrestuar policet”.Por burime të besueshme te Top Channel thonë se pas hetimeve të zhvilluara të hënën vlerësimet e Policisë së Kosovës përputhen edhe me vlerësimet që i ka bërë EULEX-i. 

Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, të shtunën pati deklaruar se “ky është një rrembim i patrullës policore të Kosovës, e cila ka ushtruar kontroll në zonën e gjelbër, e cila në asnjë mënyrë nuk ka kaluar në territorin e Serbisë”.Mesohet se dy policët që u liruan të hënën pas 48 orë paraburgimi në Serbi, janë takuar të martën paradite me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Krasniqi: Serbia sulmoi hapësirën e Kosovës

Arrestimi i policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe ishte një akt që tregon se politikat e regjimit të Beogradit nuk kanë ndryshuar.

Kështu deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Kraniqi, pas një takimi të kryesisë së Kuvendit, të zhvilluar paraditen e së hënës.

Në një komunikim për mediat, kryeparlamentari nënvizoi se Ministria e Brendshme e Kosovës duhet të raportojë në Parlament posaçërisht për çështjen në fjalë.

“Arrestimi ishte një sulm i shtetit serb në hapësirën e Kosovës, prandaj MPB-ja duhet që të informojë Kuvendin në mënyrë të detajuar për këtë ngjarje”, theksoi Krasniqi.

Rasmussen: Të shqetësuar për veriun

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen shprehu shqetësimin e tij lidhur me ngjarjet e fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, që kulmuan me arrestimin e dy policëve kosovarë.

“Ne nuk kemi një fotografi të plotë të asaj që ka ndodhur, por NATO është e shqetësuar për zhvillimet e fundit. Megjithatë, ne besojmë se palët përgjegjëse do të mund ta zgjidhin çështjen”, deklaroi Rasmussen.

Deklarata e Rasmussen erdhi vetëm pak momente para se të bëhej i ditur lirimi e më pas dorëzimi nga Serbia i dy policëve kufitarë kosovarë në duart e misionit të BE-së në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA