Policët e Kosovës, janë arrestuar apo jo në mënyrë të paligjshme, do të ndiqen penalisht në Serbi për shkak të zotërimit të armëve të tyre zyrtare.

Kjo, për drejtësinë serbe është cilësuar si armëmbajtje pa leje dhe dy të arrestuarit janë njohur me akuzat. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, ka theksuar se pas “dëgjimit të tyre nga prokurori, do të vazhdojë një proces me procedurë të rregullt kundër dy policëve”.

Daçiç shtoi se “Serbia nuk ka zbatuar masa reciproke për arrestimin e policëve, por Prishtina nuk di gjuhë tjetër dhe sikur kjo të mos kishte ndodhur, policët serbë të arrestuar në Gjilan nuk do të ishin liruar”.

Sipas Ministrit të Brendshëm, “policia serbe është e gatshme të ndihmojë nëse duhet të arrestohen terroristët, nëse dikush është fajtor, por nuk mund të arrestohen njerëzit vetëm se punojnë për Ministrinë e Punëve të Brendshme”.

Daçiç ka bërë të ditur se “dy personat që janë arrestuar më parë janë në paraburgim, njëri për drogë dhe tjetri për spiunazh”.

Top Channel