Peniani, raketë të re 40 metërshe

03/04/2012 09:45

Koreja e Veriut po punon për një raketë me rreze të gjatë veprimi dhe të gjatë të paktën 40 metra, më e madhe nga ajo që pritet të testojë me rastin e qindvjetorit të lindjes së “presidentit të përjetshëm” Kim Il Sung, që mund të mbulojë një distancë mbi 10 mijë kilometra.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja koreano-jugore “Chosun Ilbo”, sipas të cilës zyrtarë të Uashingtonit dhe Seulit pretendojnë se Veriu do ta prezantojë vektorin e ri në paradën ushtarake të 15 prillit ose 10 ditë më vonë, në ditën e themelimit të ushtrisë së Penianit.

Ndërkohë, liderët e vendeve aziatike të mbledhur në Kamboxhia do të diskutojnë për planin ushtarak të Koresë së Veriut, zgjedhjet në Birmani dhe çështjen e detit të Kinës Jugore. Samiti 2-ditor po mbahet në kryeqytetin Fnom Pen.

Ministrat e Jashtëm të 10 vendeve anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Jug-lindore kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me planin e Penianit për të lëshuar një raketë gjatë muajit prill.

Nga ana tjetër, ata kanë aprovuar proçesin zgjedhor në Birmani, ku liderja e rezistencës paqësore, Aung San Suu Kyi u zgjodh deputete dhe partia e saj fitoi 44 vende në Parlament. Gjithashtu, vitin e kaluar ministrat ranë dakord që Birmania të mund të marrë drejtimin e bllokut rajonal në vitin 2014.

Liderët e vendit me një qeveri civile, por të mbështetur nga ushtria, lejuan vëzhguesit e huaj për zgjedhjet e 1 prillit për herë të parë, duke e shtrirë ftesën në Azi, si dhe në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Top Channel