Miq e të afërm, artistë të skenës dhe ekranit i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit, aktorit Sheri Mita i cili u shua një ditë më parë në moshën 69-vjeçare.
Homazhet për aktorin e njohur të karaktereve u zhvilluan në ambientet e Teatrit Kombëtar, vendi në të cilin kontribuoi jo vetëm si actor, por edhe si komedian e dramaturg duke vënë në skenë rreth 6 komedi e drama, dy prej të cilave më të njohura për publikun “Dy krisma në Paris” dhe “Këshilli i Ndrikullave”.
Miku më i afërt i aktorit që në moshën e rinisë, Sulejman Dibra tha se Sheri Mita ka pasur një rol ndikues në karrierën e tij artistike, ndërsa mes lotësh, aktorja e njohur e teatrit, Marjana Kondi e ka cilësuar atë filozof të skenës.
“Humbja e Sheri Mitës për mua përbën një ngjarje të rëndë. E kisha mik, koleg, vëlla. Kemi mbaruar bashkë institutin. Që aty u shqua për talentin e madh dhe mendimin e thellë që e ben atë një aktor të madh”, deklaroi Sulejman Dibra.
“Për talentin e tij nuk flas se dihet cili është; një filozof i skenës shqiptare, me kapacitete jashtëzakonisht të mëdha”, kujtoi aktorja Marjana Kondi.
Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka vlerësuar aktorin Sheri Mita. Ai i ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqëve të tij artistë të teatrit e kinematografisë duke u shprehur se skena dhe ekrani humbën një artist të madh.
“Një qytetar dhe artist si Sheri Mita do të mbesë në memorien e kombit si një qytetar i mirë, si aktor, regjisor që solli një fizionomi të re në art”, u shpreh Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
I njohur me tepër për rolet e tij kiematografike, Mita ka dhënë një kontribut të çmuar edhe si regjisor, me vënien në skenë të dhjetëra numërave në estradë, por edhe të disa pjesëve në Teatrin Kombëtar, atë të Fierit, Korçës me filmat “Në fillim të verës”, “ Dora e Ngrohtë” apo “Gjeneral Gramafoni”, janë vetem disa prej atyre ku Sheri Mita ka spikatur si aktor.
Në vitin 2004, aktori Sheri Mita është nderuar edhe me urdhërin “Naim Frashëri i Artë”.
Top Channel