Ambasadorja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Ann
Jacobson ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar.

Duke mbajtur një fjalim përpara Senatit amerikan, zonja Jacobson ka nënvizuar se zgjidhja për problemin duhet të arrihet duke respektuar sovranitetin e Kosovës, por edhe duke marrë parasysh qëndrimet e qytetarëve në veri.

“Zgjidhja e situatës në veri dhe normalizimi i marrëdhënieve kërkojnë një “modus vivendi” të qendrueshëm, që respekton sovranitetin e Kosovës, merr parasysh kërkesat e qytetarëve në veri dhe u mundëson dy vendeve të vazhdojnë rrugën e integrimit”, ka deklaruar Jacobson.

Në fjalimin e saj përpara Komitetit për Politikën e Jashtme, diplomatja ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje, në veçanti me Serbinë, janë thelbësore për stabilitetin rajonal dhe integrimin.

“Përkushtimi për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe integrimi i saj në strukturat evropiane, do të jenë prioritetet kryesore të punës sonë në Prishtinë”, ka thënë më tej Jacobson.

Tracey Ann Jacobson ka shërbyer në shumë detyra zyrtare, si të brendshme ashtu edhe të jashtme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka punuar si zëvendës-sekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe në Zyrën e Zbulimit dhe Kërkimeve, në Zyrën për Çështjet e Hemisferës Perëndimore, si dhe në Zyrën e Sekretariatit të Menaxhimeve.

Jashtë Shteteve të Bashkuara ajo ka shërbyer si diplomate në Seul, Bahamas, Moskë dhe në Riga të Letonisë, ndërsa si ambasadore ka vepruar në Turkmenistan dhe Taxhikistan. Më 23 janar të këtij viti presidenti Barack Obama shpalli planin e tij për ta emëruar ambasadore në Republikën e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA