Francë, gjyqtari hebre në shënjestër

03/04/2012 00:00

Militantët islamikë të arrestuar në Francë po komplotonin të rrëmbenin
një gjyqtar hebre, kanë bërë të ditur burime policore për mediat
franceze.

Burimet deklaruan se disa nga të dyshuarit e arrestuar në bastisjen e së premtes kishin në plan të merrnin peng gjyqtarin Albert Levy, në qytetin lindor të Lionit.

Zoti Levy dhe familja e tij aktualisht janë nën mbrojtjen e policisë, saktësuan burimet e afërta me hetimet që po kryhen pas ngjarjeve të fundit me karakter islamik.

Shefi i Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve të Brendshme, Bernard Squarcini deklaroi më herët se të dyshuarit ishin me kombësi franceze, të përfshirë në një stërvitje lufte kolektive, të lidhur me indoktrinimin e dhunshëm fetar.


Nga 19 personat e arrestuar në mbarë vendin
ditën e premte, 16 kanë mbetur në arrest dhe seanca e parë dëgjimore do të mbahet së shpejti. Ndërkohë, ditën e hënë autoritetet franceze dëbuan nga vendi dy islamikë radikalë.

Arrestimet dhe dëbimet erdhën pasi atentatori islamik Mohamed Merah vrau shtatë persona në jug-perëndim të Francës, para se të vritej nga policia muajin e kaluar.

Një avokate e babait të tij algjerian thotë se ka prova që i biri u vetëdeklarua i pafajshëm në negociatat me policinë, që kishte rrethuar apartamentin e tij në Tuluz.

Por një burim pranë policisë franceze deklaron se provat në fjalë nuk përputhen me faktet e operacionit të forcave speciale.

Top Channel