Francë, akuza terrori ndaj 13 militantëve

03/04/2012 20:30

Akuzat terrori janë ngritur ndaj 13 miliantëve të dyshuar, të arrestuar në një aksion të gjerë policor të premten e shkuar.

Kryeprokurori i Franës, Francois Molins, konfirmoi të martën se disa prej të arrestuarve përballen edhe me akuzën e planifikimit të pengmarrjeve.

Molins bëri të ditur se do të kërkojë mbajtjen në burg të nëntë prej të dyshuarve, ndërsa katër më “të parrezikshmit” mund të lirohen me kusht deri në përfundimin e hetimeve.

Në total, 19 persona u arrestuan nga policia në aksionin e saj, por tre prej tyre u lanë të lirë pa akuza brenda 24 orëve dhe tre të tjerë presin ende të njihen me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Të arrestuarit besohet se janë pjesë e një grupi ekstremist, të quajtur “Forsane Alizza”, i shpallur i jashtligjshëm muajin e fundit.

Arrestimet u realizuan në disa qytete franceze, ndërsa dhjetë armë u sekuestruan gjatë aksionit policor. Aksioni erdhi pasi një militant i quajtur Mohammed Merah u vra nga policia, pas tre sulmeve të ndryshme me motive raciste, në të cilat vrau një total prej shtatë personash.

Top Channel