Tymoshenko, mjekim jashtë burgut

02/04/2012 16:50

Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës ka urdhëruar sistemin e burgjeve dhe Ministrinë e Shëndetësisë që të marrin masa për të garantuar mjekimin jashtë burgut të ish-kryeministres Yulia Tymoshenko.

Lajmin e bën të ditur agjencia ruse “Interfax”, sipas të cilës urdhëri i kryeprokurorit është bërë në kuadër të ligjit për trajtimin mjekësor jashtë mureve të burgjeve.

Protagonistja e Revolucionit Portokalli të vitit 2004 ndodhet në burgun e Kievit dhe vuan nga dhimbje të forta në shtyllën kurizore.

Muajin e kaluar ishte e bija e ish-kryeministres, Eugenia Tymoshenko, që përmes një apeli i kërkoi ndihmë komunitetit ndërkombëtar, duke thënë se gjendja e së ëmës ishte shumë e rëndë.

“Rasti i mamasë sime nuk është vetëm politik, është një çështje jetë a vdekje. Komuniteti ndërkombëtar duhet të na ndihmojë për t’i ushtruar presion qeverisë ukrainase për respektimin e standarteve demokratike”, deklaroi Eugenia.

“E pash një javë më parë, ajo nuk është mirë dhe nuk merr kurat e duhura. Mamaja ime është në izolim total dhe nuk mund të vizitohet nga mjekët e saj të besuar”, tha vajza.

Eugenia rikujtoi se si autoritetet ukrainase vazhdojnë të falsifikojnë informacionet mbi gjendjen shëndetësore të së ëmës, e cila sipas saj mbetet kritike.

Ashtu si Tymoshenko, edhe eksponentë të tjerë që i bëjnë opozitë qeverisë së Yanukovych, si ish-ministri i Brendshëm, janë mbyllur në burg prej më shumë se një viti si pasojë e disa proçeseve farsë të cilëve u janë nënshtruar dhe torturave e keqtrajtimeve që kanë pasuar në qeli.

Top Channel