“Fenomeni Koni”, një dokumentar kundër shfrytëzimit të fëmijëve, për pak kohë është kthyer në një nga më të diskutuarit në botë, është shndërruar në një kauzë globale.
Këtë të hënë, emisioni “Shqip” iu kushtua pikërisht këtij fenomeni dhe Top Channel në këtë mënyrë i bashkohet televizioneve më prestigjoze në botë në dhënien e një mesazhi global, një kauze globale.
Por kush është Xhozef Koni?
Xhozef Koni është më i keqi kriminel lufte në botë. Në vitin 1987 mori drejtimin e një grupi ekzistues rebel dhe ia ndërroi emrin në Ushtria e Rezistencës së Zotit, URZ (Lord’s Resistance Army, LRA).
URZ mori emër për taktikat mizore. Kur Xhozef Konit i mbaruan luftëtarët rrotull vetes, ai nisi të rrëmbejë fëmijë për t’i rritur ushtarë dhe/ose në “bashkëshorte” për oficerët e tij. URZ ka nxitur përdhunime, gjymtime dhe ka vrarë civilë, shpesh me armë të ftohta. URZ s’është më aktive në Ugandën e Veriut, ku ka origjinën, por po vazhdon dhunën në Republikën Demokratike të Kongos, në Republikën e Afrikës Qendrore dhe në Sudanin e Jugut. Në 26 vjet histori, URZ ka rrëmbyer 30.000 fëmijë dhe ka detyruar 2.1 milionë njerëz të zhvendosen.
Cili është qëllimi i dokumentarit KONI 2012?
“Fëmijët e Padukshëm” ka nëntë vjet që vepron me qëllim për t’i dhënë fund konfliktit më të gjatë të armatosur në Afrikë. Këshilltarë të ushtrisë amerikane janë aktualisht të vendosur në Afrikën Qendrore në një mision me kohë të përcaktuar me qëllim për të ndaluar Konin dhe për të çarmatosur URZ-n. Nëse Koni nuk kapet këtë vit, afati i këtyre forcave mbaron.
Ne po veprojmë për të garantuar këto dy gjëra:
1) Që Xhozef Koni të njihet si më i keqi kriminel lufte në botë.
2) Që përpjekjet ndërkombëtare dhe të SHBA-ve të pajisen me një strategji
Pse po e bëjmë Xhozef Konin “të famshëm”?
Fushata “Koni 2012” e fëmijëve të padukshëm ka qëllim ta bëjë Xhozef Konin të famshëm, jo për t’i rritur vlerat, por për të shtuar mbështetjet për arrestimin e tij e për të vendosur një rast precedent për drejtësinë ndërkombëtare. Në këtë rast, fama përkthehet në mbështetje të publikut. Po të dinin krimet që ka kryer Koni në 26 vjet, njerëzit do të bashkoheshin për ta ndaluar. Së dyti, duam që Koni të bëhet i famshëm që kur të ndalohet, të jetë i dukshëm, një shembull konkret i drejtësisë ndërkombëtare. Kriminelët e tjerë të luftës do të dinin që mizoritë e tyre në masë nuk do të kalonin pa u vënë re apo pa u ndëshkuar.
Dokumentari
“Koni 2012” është një dokumentar i shkurtër, i krijuar nga “Fëmijët e Padukshëm”, i publikuar më 5 Mars 2012. Qëllimi i filmit është të reklamojë lëvizjen bamirëse “Ndaloni Konin”, e për të bërë të njohur në mbarë botën kriminelin e luftës nga Uganda, i cili kërkohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në mënyrë që të arrestohet deri në Dhjetor të vitit 2012, kur kjo fushatë mbaron.
Filmi u shpërnda në mënyrë virtuale. Më 24 Mars të vitit 2012, filmi kishte 85 milionë shikime në faqen Youtube, dhe rreth 16.6 milionë shikime në Vimeo, me të tjera shikime që vinin nga faqja qendrore “Koniy2012”, e mbajtur nga “Fëmijët e Padukshëm”. Klikimet masive të videos bënë që faqja “Kony2012” të bllokohej, pak para se të kishte fituar popullaritet.
Dokumentari paraqet planet dhe përpjekjet e “Fëmijëve të Padukshëm” për të arrestuar Xhozef Konin. Përshkruan taktikat mizore luftarake me stil guerrilas të grupit të tij rebel, Ushtria e Rezistencës së Zotit, si dhe zonat e Ugandës së Veriut, Republikës Demokratike të Kongos dhe Sudanit Jugor, ku ata veprojnë. Një nga personat që zënë vend kryesor në këtë dokumentar është një djalë nga Uganda, Xhekob Akaje, të cilit URZ i ka vrarë vëllain. Regjisori dhe themeluesi i Fëmijëve të Padukshëm, Xhezon Rasëll, i premton Xhekobit që do të ndihmojë në fushatën “Ndaloni Konin”.
Filmi mbështet ndalimin e shërbimit të detyruar ushtarak me të rinj, dhe rikthimin e rendit shoqëror. Videoja ka gjithashtu pamje të djalit të vogël të Xhezon Rasëllit, Gavini, duke dokumentuar se si reagon ai pasi mëson për Konin.
Shoqata bamirëse “Fëmijët e Padukshëm” ka si qëllim të fitojë mbështetjen e një grupi të zgjedhur individësh, në mënyrë që “të ndihmojë me rritjen e përgjegjshmërisë kundër abuzimeve të tmerrshme dhe vrasjeve të fëmijëve në vendet e Afrikës lindore dhe qendrore, të ndodhur nën krimet e Konit dhe drejtimit të tij”. Kjo listë përfshin ish-presidentin amerikan, Xhorxh Bush, Sekretaren e tij të Shtetit, Kondoleza Rajs, si dhe senatorin e ish-kandidatin për president të SHBA-ve, Xhon Keri.
Më 20 Prill 2012, mbështetësve u kërkohet ta vazhdojnë fushatë në qytetet e tyre duke ngjitur afishe informuese për Koni 2012. Fëmijët e Padukshëm kanë krijuar gjithashtu “kuti veprimi” që ndihmojnë në shpërndarjen e përgjegjësisë, të cilat përmbajnë stema të vogla të fushatës, afishe, byzylykë dhe broshura.
Disa personalitete të njohur amerikanë kanë mbështetur fushatën kundër Konit, si Rihana, Tejlor Suift, Kristina Milian, Niki Minaxh, Bill Gejts dhe Kim Kardashian.
Fushata ka ndikuar gjithashtu shumë në Indi, ku të rinjtë, përfshi aktoren Sonakshi Sinha, po përdorin Facebook e media të tjera shoqërore për të organizuar grupet që do të jenë pjesë e veprimtarisë së datës 20 Prill 2012.
Pritja – Pozitive
Luis Moreno Okampo, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, paraqitet në dokumentar duke mbështetur fushatën që ka “mobilizuar botën”, duke i quajtur kritikat “marrëzi”. Përfaqësuesi i ri i Posaçëm dhe Kreu i Zyrës Rajonale të Kombeve të Bashkuara për Afrikën Qendrore, Abu Musa, deklaroi se interesi ndërkombëtar ndaj Konit ka qenë i dobishëm dhe shumë i rëndësishëm.
Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë mbështetëse nëpërmjet Sekretares për Shtyp, Xhej Karjen, e cila tha në një konferencë shtypi: “Përgëzojmë qindra mijëra amerikanët që janë mobilizuar për këtë krizë unike të ndërgjegjes”, duke shtuar se ndërgjegjësimi nëpërmjet videos “është në përputhje me legjislacionin dypartiak të miratuar nga kongresi në vitin 2010.” Kameron Hadson, drejtori i politikave në Muzeun Përkujtimor të Viktimave të Holokaustit në SHBA, dhe ish drejtor për Afrikën në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, vlerësoi Fëmijët e Padukshëm që u lidhën “me dhjetëra miliona njerëz që mbase s’kishin dëgjuar kurrë të flitej për Xhozef Konin.”
Kryekërkuesja e divizionit për Afrikën në Ruajtjen e të Drejtave të Njeriut, Aneke Van Vudenberg, shkroi në një deklaratë: “Kemi hetuar me vite tmerret e URZ-s në Afrikën Qendror – Ugandë, Republikën Demokratike të Kongos, Republikën e Afrikës Qendore dhe Sudanin Jugor. Kemi mbledhur prova në vendet e masakrave – shkopinj druri të mbuluar me gjak të tharë, shirita të prera nga komardaret e biçikletave, me të cilat lidheshin viktimat e varre të sapo hapura – sio dhe kemi folur me qindra djem e vajza që kanë qenë të detyruar të luftojnë për ushtrinë e tij, ose që janë mbajtur pengje si skllevër seksi. Gjithashtu kemi marrë informacion që Xhozef Koni është një temë mjaft e klikuar në Tëitter. Nëse dikush meriton vëmendje botërore,m ai është Koni”. Ajo shtoi: “Duke arrestuar Konin dhe krerë të tjerë të URZ, do të garantonim se ata që kryejnë masakra në masë do të përballen gjithnjë me drejtësinë. Gjithashtu do të mundësonte eliminimin e një prej grupeve më mizore rebele në Afrikë.”
Amnistia Ndërkombëtare e ka mirëpritur fushatën Koni 2012, e cila gjithashtu ka dokumentuar “ndikimin e tmerrshëm të URZ ndaj jetës së mijëra qytetarëve në Republikën e Afrikës Qendrore, në Republikën Demokratike të Kongos, në Sudanin Jugor dhe në Ugandë”, dhe ka bërë thirrje për vite me radhë që krerët e URZ të arrestohen. Ervin Van Der Borgt, drejtori i kësaj organizate për Afrikën, ka shkruar në një deklaratë: “Xhozef Koni dhe krerët e tjerë të URZ i janë shmangur arrestimeve për shumë kohë, dhe kjo fushatë shërben për të kujtuar krimet e vazhdueshme të kryera nga anëtarët e URZ-s, dhe nevojën për të arrestuar krerët e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, ku të merren nën gjykim”, por ai shtoi: “Kushdo që bashkohet në fushatën Koni 2012, duhet të këmbëngulë që përpjekjet për të arrestuar Xhozef Konin të jenë brenda kuadrit të respektimit të të drejtave të njeriut,” sidomos sepse “shumë anëtarë të URZ kanë qenë viktima të shkeljeve të të drejtave të njeriut, përfshirë anëtarësimin e detyrueshëm në ushtri”, duke garantuar mbrojtjen e civilëve.
Nikolas D. Kristof, gazetar fitues i çmimit Pulitzer, ka falënderuar Fëmijët e Padukshëm për realizimin e dokumentarit dhe ka ngritur kritike, duke deklaruar se “në vend që të jetë barra e njeriut të bardhë”, kur “një kriminel lufte vazhdon të vrasë e të torturojë përmes territorit të Kongos e të Republikës së Afrikës Qendrore… duhet të jetë një barrë e njerëzimit”. Ai tha gjithashtu se kompleksiteti ka qenë për shumë kohë “një shfajësim kryesor për të mos vepruar kundër këtyre mizorive”, dhe se Koni mbetet një kërcënim në vendet fqinje të Ugandës, ndaj thjeshtësia e dokumentarit “e ka informuar edhe më shumë publikun amerikan”, dhe “po të ishte fshatar nga Kongo”, ai do të kishte “mirëpritur këto përpjekje qoftë dhe të pasigurta, por që janë ndryshe nga të cinikët qortues që rrinë duarkryq.” Gotam Çopra, një ish korrespondent lufte, tha se ai e kupton “ashpërsinë instinktive (që në fakt është acarim)” kundër dokumentarit dhe fushatës, por që ka vlerë të madhe në faktin që ka miliona njerëz që po mblidhen sot kundër një gjenocidi në Afrikë, për të cilën deri dje pothuajse nuk dinin asgjë.” Metju Grin, autor i biografisë së Konit në vitin 2008, “Magjistari i Nilit”, shkroi se Gjykata Ndërkombëtare “ka fituar më shumë me videon 30 minutëshe, se me një batalion diplomatësh, punonjësish të organizatave jo fitimprurëse e gazetarësh, që kur ka nisur konflikti, rreth 26 vjet më parë.
Xhekob Akaje, fëmija që shfaqet në film e që ka qenë një nga ushtarët e URZ, e ka mbështetur dokumentarin e ka mbrojtur realizuesit e tij. Për t’iu përgjigjur ugandasve që thonë e filmi ishte në kohën e gabuar, Xhekobi thotë se “nuk është shumë vonë, sepse luftimet dhe vuajtjet po vazhdojnë edhe sot. Deri më tani, lufta që ka ndodhur ka qenë e heshtur. Njerëzit nuk dinin shumë për të. Tani, ajo që ndodhte në Gulu, vazhdon të ndodhë diku tjetër nëpër Republikën e Afrikës Qendrore dhe në Kongo. Po njerëzit që po vuajnë atje? Ata po vuajnë atë që kemi vuajtur ne.” U vu re se shumë njerëz që jetojnë në zonat ku UZR është aktive, kanë kërkuar edhe më parë vëmendje e adresim të këtij problemi. Në Korrik të vitit 2011, 90% e banorëve në zonat e prekura nga URZ në Republikën Demokratike të Kongos, vazhdonin të jetonin me frikë dhe ndiheshin krejtësisht të braktisur, sipas një studimi nga Oxfam. Zhylien Marnef, një punonjëse e Shërbimeve Ndihmëse Katolike në Goma, në lindje të Kongos, tha: “Ka qenë një sukses i pamohueshëm dhe të gjitha organizatat humanitare që punojnë në këtë zonë mund të jetë të lumtura për këtë, por shtoi që “duhet pasur kujdes për të mos e bërë çështje shumë të thjeshtë”, dhe ishte e shqetësuar se interesi mund të ishte jetëshkurtër. “Sot është Koni 2012, por nesër, një tjetër krizë ose një tjetër videoje do të jetë çështja më e ndjekur në media, dhe druaj se shumica e njerëzve do t’i harrojnë problemet e URZ”.
Ndikimi
SHBA – Më 21 Mars 2012, një rezolutë “që dënon Xhozef Konin dhe grupin e tij mizor guerrilas për një fushatë tmerri 26 vjeçare” u propozua nga senatorët Xhim Inhof dhe Kris Kuns. Rezoluta premtonte mbështetjen e përpjekjeve të Ugandës, Republikës Demokratike të Kongos, Republikës së Afrikës Qendrore dhe Sudanit Jugor për të ndaluar Konin dhe URZ-n”, bashkë me një deklaratë zyrtare mbështetëse “për përpjekjet e SHBA-ve për të ndihmuar forcat rajonale në gjurmimin e komandantëve të këtij grupi”. Deri më tani, rezoluta ka marrë mbështetjen e 37 senatorëve nga të dy partitë.
Mbështetja e senatorëve për rezolutën erdhi pas publikimit të videos Koni 2012 famës së krijuar. Një nga drejtuesit e kësaj rezolute, Senatori Kris Kuns, u vu në dijeni të kësaj situate pasi vajzat e pyetën se ç’do të bënin për të ndaluar Konin, dhe senatori Roi Blant u informua “në një mbledhje të mbështetësve partiakë, kur një votues e pyeti për Konin.”’ Një nga bashkë-krijuesit e kësaj rezolute, senatorja Lindsej Graham deklaroi se “kur mblidhen 100 milionë amerikanë për të kërkuar diçka, sigurisht që do të na e tërheqin vëmendjen. Popullariteti në Youtube do ta ndihmojë kongresin të jetë më agresive, dhe ne do të bëjmë më shumë për t’i dhënë fund Konit se të gjitha veprimet e tjera bashkë.”
Afrikë – Më 23 Mars 2012, Unioni Afrikan njoftoi se planifikonte “të dërgonte 5000 ushtarë për t’u bashkuar me përpjekjet për të kapur kreun e rebelëve, Xhozef Konin”, dhe për ta “asgjësuar”. Ky grup ndërkombëtar pune do të përfshinte ushtarakë “nga Uganda, Sudani Jugor, Republika e Afrikës Qendrore dhe Kongo, vende që kanë ndier ndër vite tmerret e Konit”. Ndjekja e Konit ka qenë ndërmarrë më parë vetëm nga trupat e Ugandës. Ushtarët do të nisin kërkimet në Sudanin Jugor, më 24 Mars të vitit 2012, dhe “kërkimet do të vazhdojnë derisa Koni të jetë kapur”.
Po kauzat e shqiptarëve kush janë?
Kësaj pyetje u munduan t’i japin përgjigje politikanë dhe analisti. Në studio ishin deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, anëtari tjetër i PS-së, Artan Lame dhe kryeredaktori i Top Channel, njëkohësisht edhe aktivist i mbrojtjes së mjedisit, Mentor Kikia.
Gjakmarrja dhe ngujimi i fëmijëve
Në fjalën e saj, deputetja Hysi hodhi nevojën e ngritjes në kauzë atë të fëmijëve të ngujuar për shkak të gjakmarrjes. Duke hequr një paralele mes Fenomenit Koni dhe fenomenit shqiptar të gjakmarrjes, deputetja Hysi ngriti pyetjet: Sa fëmijë shqiptarë janë të ngujuar? Sa “Koni” ekzistojnë në vendin tonë, të gatshëm t’u marrin jetën fëmijëve nëse lënë banesat e tyre?!
Pikërisht për këtë, tha zonja Hysi, duhet të punohet dhe nga organet përkatëse dhe nga e gjithë shoqëria.
Ndotja e mjedisit
Tjetër kauzë që duhet të ngrihet ashtu sic duhet, është edhe mjedisi. Artan Lame dhe Mentor Kikia, të dy të angazhuar në lëvizje për qytetare për një mjedis të pastër, nënvizuan nevojën për më shumë sensibilizim për mbrojtjen e natyrës, për mbajtjen pastër të ambjentit. Njerëzit janë bërë mosbesues, tha Mentor Kikia duke shtuar se në rritjen e këtij mosbesimi kanë ndikuar “fushatat e pastrimit të organizuara nga forumet rinore të partive politike, apo struktura të tjera, brenda tyre”.
Ndërsa Artan Lame komentoi nismën e deklaruar publikisht nga kryeministri Berisha për një mjedis të pastër. Kryeministri, tha Lame, nuk mund të bëjë thirrje sensibilizuese në drejtim të qytetarëve, kryeministri është kryeministër, merr masa, s’ben thirrje.
Top Channel