SHBA, 7 viktima në atentatin në kolegj

02/04/2012 00:00

Shtatë persona mbetën të vrarë dhe disa të tjerë u plagosën gjatë të shtënave në një kolegj në Kaliforni, bëri të ditur policia lokale.

Zëdhënësja e policisë, Cynthia Perkins ka konfirmuar numrin e vdekjeve pas sulmit në Universitetin e Oikos në qytetin e Oakland.

Vetëm pak çaste më pas një i dyshuar u arrestua në një qendër tregtare në qytetin fqinj të Alamedas.

Universiteti i Oikos është një institucion privat fetar që ofron kurse në teologji, muzikë dhe infermieri.

Nga raportimet e para u dukën se ishin katër trupa të mbuluara me pëlhurë jashtë një prej ndërtesave të universitetit, raportoi “San Francisco Chronicle”.

Pamjet televizive treguan njerëz të plagosur duke dalë nga ndërtesat.

Johnna Uatson, nga policia e Oakland, tha: “Ne e dimë që ky është një kolegj Korean. Një person i armatosur hyri në kolegj dhe qëlloi disa herë”.

Uatson shtoi: “Unë mund të konfirmoj se ne kemi ndaluar një person, i cili besojmë se është ndoshta përgjegjësi për këtë ngjarje”.

Departamenti i Zjarrit të Oakland tha se njoftimi i parë për të shtënat mbërriti në 10:50 me orën lokale.

Identifikohet vrasësi

Njeriu i armatosur që vrau shtatë vetë dhe plagosi tre të tjerë në një kolegj në Kaliforni është identifikuar nga policia si 43-vjeçari, One Goh.

Shefi i policisë së Oakland, Houard Jordan tha se vrasësi kishte hapur zjarr në një klasë të Universitetit të Oikos.

I dyshuari, një ish-student i kolegjit, u dorëzua në një supermarket në qytetin fqinj të Alamedas.

Oficerët e Armatosura hynë në kolegj pas sulmit të së hënës në mëngjes. Pesë persona u shpallën të vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë vdiqën në spital.

Top Channel