Ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi ka propozuar disa variante se si serbët e Kosovës të mund të votojnë për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

“Serbët që jetojnë në Kosovë mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, që nuk e prekin Kosovën, përmes postës ose përmes komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar Rexhepi.

Në një prononcim për “B92”, ministri i Brendshëm ka nënvizuar se format e tjera nuk do të lejohen që të aplikohen në territorin e Kosovës, pasi ato janë të paligjshme.

“Zgjedhjet e organizuara nga Serbia janë zgjedhje të paligjshme. Ne as nuk i mbështesim e as nuk i lejojmë”, është shprehur Rexhepi.

Ndërkohë, ditën e shtunë qeveria serbe njoftoi se hiqte dorë nga planet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, me argumentin se, pa mbështetjen e UNMIK-ut, organizimi dhe zhvillimi i tyre do të ishte shumë i vështirë.

Lajmi u publikua nga gazeta serbe “Novosti”, e cila iu referohej burimeve qeveritare, që deklaronin se ekzekutivi serb druhej se pa ndihmën logjistike të administratës ndërkombëtare siguria e proçesit do të cënohej.

Burimi mediatik citonte ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, i cili thoshte se gjithësesi, Beogradi është ende në kontakt me krerët e misioneve UNMIK dhe EULEX.

“UNMIK-u na ka informuar se nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Organizimi i tyre është në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Serbisë, por duhet marrë parasysh edhe situata specifike në terren”, deklaronte Bogdanoviç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA