NATO është e paqartë për rrethanat e rrëmbimit të dy policëve kufitarë kosovarë nga xhandarmëria serbe. Në konferencën e rregullt të përmuajshme për shtyp në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e cilësoi si shqetësuese këtë ngjarje.

“Ne nuk e kemi ende të qartë se çfarë ka ndodhur. Sigurisht që NATO është e shqetësuar nga këto zhvillime të fundit. Por ne kemi besim se palët përgjegjëse do të jenë të afta ta zgjidhin këtë çështje”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Deklarata e Rasmussen erdhi vetëm pak momente para se të bëhej i ditur, lirimi e më pas dorëzimi nga Serbia i dy policëve kufitarë kosovarë në duart e misionit të BE-së në vend.

NATO, nëpërmjet KFOR-it, është përgjegjëse për ruajtjen e kufirit të veriut të Kosovës me Serbinë. Por kohët e fundit Aleanca kërkon me këmbëngulje kalimin gradual të përgjegjësive të sigurisë drejt EULEX-it, misionit të BE-së, për të vijuar me pakësimin e pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë.

Pergatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA