Korea V. shpall mbledhje të jashtëzakonshme

02/04/2012 15:50

Korea e Veriut do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme, përpara lëshimit të paralajmëruar të një rakete më vonë gjatë prillit, ngjarje që do të konsolidojë përfundimisht kalimin e pushtetit në duart e Kim Jong-un.

Mbledhja, e kërkuar nga “klasa punëtore”, do të mbahet në kryeqytet në datën 11 prill, të paktën sipas informacionti të publikuar nga Agjensia Shtetërore e Lajmeve.

Në takim, Kim pritet të gradohet në disa pozicione kyçe të mbajtura më parë nga babai i tij, Kim Jong-il. Megjithatë, natyra e plotë e bisedimeve që do të bashkojnë udhëheqësit kryesorë politikë, ushtarakë dhe partiakë mbetet e panjohur.

Regjimi informoi gjatë marsit se planifikon të lëshojë një raketë me rreze të gjatë për të dërguar një satelit në hapësirë midis dative 12-16 prill, në mënyrë që të përkujtojë kështu 100-vjetorin e lindjes së liderit të parë të vendit, Kim Il-sung.

Ndonëse Peniani pretendon se lëshimi do të bëhet vetëm për qëllime paqësore, lëvizja ka ngjallur një kritikë të ashpër ndërkombëtare, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë kërcënuar për sanksione dhe vendet fqinje si Japonia apo Korea e Jugut që janë vendosur në gatishmëri për të rrëzuar raketën, në rast se ajo shkel hapësirën e tyre territoriale.

Agjensa KCNA gjithashtu raportoi se në 13 prill do të mbahet edhe seanca e parë parlamentare që prej vdekjes së Jong-il, në tetor 2011.

Korea e Veriut, një vend me 25 milionë banorë që zotëron kapacitete bërthamore, kishte pranuar në vitin 2009 ndërprerjen e zhvillimit dhe të testimit të çdo lloj rakete, në këmbim të ndihmave ushqimore nga jashtë.

Top Channel