Një delegacion i Kongresit amerikan, i udhëhequr nga kongresmeni David Dreier, do të vizitojë Kosovën në datat 3 dhe 4 prill.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni do të takohet me presidenten Atifete Jahjaga, kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, si dhe me disa deputetë.

Lajmi është konfirmuar nga ambasada amerikane në Prishtinë. Republikani David Dreier përfaqëson shtetin e Kalifornisë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Njoftimi për vizitën vjen në një moment tensionesh në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe në kohën kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet për një vizitë zyrtare në Uashington, ku do të takohet me presidentin Barack Obama.

Takimi, sipas raportimeve të mediave kosovare, do të mbahet më datën 6 prill, në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Gjithashtu, gjatë vizitës së tij kryeministri kosovar ka në axhendë takime me zëvendëspresidentin Joe Biden, sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, si dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.

Nëse në takim do të diskutohet për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, atëherë kjo do të përbëjë një rikonfirmim të fuqishëm të mbështetjes së SHBA ndaj shtetit të ri të Ballkanit.

Top Channel