Hungari, jep dorëheqjen presidenti Schmitt

02/04/2012 00:00

Jep dorëheqjen presidenti hungarez Pal Schmitt, pas përfshirjes në një
skandal ku u zbulua se kishte kopjuar tezën e tij të doktoraturës 20
vjet më parë.

Vendimin për dorëheqjen e njoftoi vetë presidenti në parlament. Më herët kreu i shtetit hungarez kishte zhvilluar një takim me kryeministrin Viktor Orban.

Një universitet në Hungari i hoqi titullin e doktorit presidentit të vendit, Pal Schmitt, pasi gjeti se pjesë të rëndësishme të tezës ishin të kopjuara ose përbënin plagjiaturë.

Universiteti “Semmelweis” i Budapestit udhëhoqi një hetim që konfirmoi skandalin e ngritur nga një gazetë e përditshme në muajin janar.

Rektori i universiteti lajmëroi se doktoratura është hequr si rrjedhojë e “shkeljes së normave shkencore”. Fillimisht Schmitt, roli i të cilit si president është kryesisht ceremonial, i hodhi poshtë akuzat. Një ish-kampion olimpik në skermë, Schmitt shkroi tezën e doktoraturës së tij në vitin 1992, duke u diplomuar pak kohë më pas nga Universiteti i Edukimit Fizik, pjesë e Universitetit Semmelëeis.

Një komitet vlerësoi se në dokumentin e paraqitur prej 215 faqesh, më shumë se 200 prej tyre tregonin “ngjashmëri të pjesshme” apo ishin direkt përkthime nga punime të tjera.

Në qendër të stuhisë mediatike është vendosur edhe vetë universitetit, të cilit iu desh një denoncim nga mediat pas 20 vitesh kohë për të kuptuar se doktoratura ishte një plagjiaturë.

Top Channel