Qeveria e Athinës po has vështirësi të mëdha në arritjen e një marrëveshjeje me zotëruesit e bondeve greke, të emetuara në bazë të ligjeve të huaja.

Situata aktuale vjen pasi më herët gjatë vitit, qeveria arriti të bindte titullarët e bondeve të emetuara në bazë të ligjit helen të merrnin pjesë në ristrukturimin e borxhit.

Sipas lajmeve të publikuara të hënën nga Ministria e Financave greke, vetëm në 16 nga 36 mbledhje të titullarëve të bondeve është arritur një marrëveshje për ristrukturimin.

Në rastet e tjera, propozimi është shtyrë 11 herë, ose takimi është azhornuar për shkak të mos arritjes së kuorumit të parashikuar me ligj.

Dinamika e radhës e negociatave për ristrukturimin e borxhit të emetuar në bazë të legjislacionit të huaj është ndryshe nga ajo e verifikuar në rastin e borxhit të emetuar sipas legjislacionit grek.

Ndërsa në këtë të fundit u votua në mënyrë imponuese nga mazhoranca, në rastin e këtyre emetimeve duhet votimi rast për rast.

Pra, 36 takime për 36 emetime, që për momentin kanë çuar në 16 “pro” për 15.3 miliardë dollarë, ndërsa për 11.5 miliardët e tjerë marrëveshja mbetet ende larg.

Top Channel