“Gërdeci”, akuza: Gjykata gaboi

02/04/2012 00:00

Kur kanë kaluar 20 ditë nga shpallja e vendimit të shkallës së parë për 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, ashtu siç ndodh në të gjitha dosjet penale kur gjykata e vonon arsyetimin e vendimit, edhe kësaj here prokuroria e ka apeluar çështjen pa argumenta, duke rezervuar të drejtën që kundërshtimet konkrete t’i japë sapo të marrë vendimin në dorë.

Në dokumentin e apelimit, që Top Channel disponon, thuhet konkretisht: “Sjellim në vëmendje që këtë apel e ushtrojmë në mungesë të vendimit të arsyetuar. Në mungesë të këtij vendimi të arsyetuar dhe argumentave që ka përdorur kjo gjykatë, në këtë moment të ushtrimit të apelit e kemi absolutisht të pamundur që të japim argumentat tona të hollësishme se ku ka gabuar gjykata. Në këtë mënyrë, këto argumente do t’i japim në një moment të dytë pasi të njihemi me vendimin e arsyetuar të gjykatës, e drejtë kjo që buron nga neni 415/2 i Kodit të Proçedurës Penale”.

Duke theksuar se nuk është bërë një analizë e hollësishme dhe objektive e provave të shumta të shqyrtuara gjatë këtij proçesi gjyqësor, katër prokurorët e dosjes vijojnë:

“Ky vendim është rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit penal material dhe atij proçedurial penal. Ky vendim është rezultat i kuptimit dhe interpretimit të gabuar të elementeve të veprës penale të parashikuar në nein 79, gërma DH dhe Ë në Kodin Penal dhe nenet 70/2 të Kodit Penal Ushtarak”.

Në pritje të zbardhjes së vendimit, prokurorët mbajnë të njëjtat qëndrime për akuzat dhe dënimet ndaj të pandehurve, sikurse u shprehën në shkallën e parë, duke këmbëngulur që vendimi i gjykatës së Tiranës të ndryshojë duke vendosur sërish tre burime të përjetshme, si dhe ndryshimin e 10 pafajësive të tjera që gjykata i shpalli të tilla.

Edhe avokatët mbrojtës të të pandehurve i kanë bërë apelimet e tyre thjesht duke theksuar pafajësinë e klientëve të tyre dhe duke rezervuar të drejtën që qëndrimi konkret të mbahet sapo të zbardhet verdikti i gjykatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB