Eurozonë, papunësia shënon rekord të ri

02/04/2012 15:15

Papunësia në vendet e Eurozonës pësoi një rritje të re gjatë muajit shkurt, duke u fiksuar në kuotën 10,8%, më e larta që prej kalimit në monedhën e përbashkët euro.

Në krahasim me janarin 2012, rritja është prej 0,1%. Vendi me normën më të lartë të papunësisë është Spanja, me 23,6%.

Ndërkohë, për muajin e tetë radhazi besimi i konsumatorëve është nën indeksin 50, që tregon një besim të qëndrushëm.

”Ndërtimi dhe industria përjetuan një muaj mars shumë të dobët, me fitimin e përgjithshëm nga prodhimi që ka rënë në mënyrë të ndjeshme”, deklaroi kryeekonomisti i “Markit”, Chris Williamson.

Ekonomistë të tjerë vlerësuan se të gjitha shifrat flasin qartë për një recesion europian. “Duket se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Eurozonës është duke u kontraktuar në tremujorin e parë të vitit dhe perspektivat për një rikuperim në tremujorin e dytë janë të vagullta”, deklaroi Howard Archer, kryekonomist i “IHS Global Insight”.

Kriza në vazhdim është duke e bërë edhe më të vështirë për të papunët që të sigurojnë një vend pune. Në Itali, papunësia u rrit në 9,3% në muajin shkurt, niveli më i lartë që kur vendi nisi të realizonte statistika të përmujashme në 2004-n.

Edhe më shqetësues është niveli i papunësisë midis moshës 15-24 vjeç, me një në tre të rinj që kërkojnë një punë që nuk janë në gjendje ta sigurojnë atë. Në Spanjë, vendi më i goditur, vetëm një në dy të rinj arrin të punësohet, statistikë e ngjashme edhe për Greqinë.

Vendet me problemin më të ulët të papunësisë janë Austria, Holanda dhe Gjermania, ku niveli i të papunëve përllogaritet nga 4-6% të forcës së përgjithshme aktive të popullsisë.

Top Channel