Dhuna në Siri, Annan në Këshillin e Sigurimit

02/04/2012 15:35

Dhuna vazhdon të përshkallëzohet në Siri, ndërsa i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për të ndërmjetësuar një armëpushim, Kofi Annan, përgatitet të referojë në Këshillin e Sigurimit.

Aktivistë lajmëruan të hënën se të paktën tre persona u vranë në një ofensivë të ushtrisë në krahinën e Idlibit, ndërsa ka patur luftime të reja në qytetin e Homsit. Gjithashtu, një shpërthim me pasoja të paraportuara ka ndodhur në Damask, sipas medias qeveritare.

Ditën e dielë, vendet e Gjirit Persik ranë dakord që të paguajnë rrogat dhe kosto të tjera shtesë për rebelët që luftojnë për Ushtrinë e Lirë Siriane, si një formë ndihme konkrete joushtarake në luftën ndaj regjimit të Assad. Disa ditë më parë, edhe Britania kishte shpallur një rritje të fondeve që u dërgohen kryengritësve sirianë.

Vendimi u shpall gjatë një takimi në Stamboll të grupit “Miqtë e Sirisë”, një grup i mbështetur nga 83 shtete dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Konferenca gjithashtu paralajmëroi presidentin al-Assad se nuk i mbetet shumë kohë për të përmbushur kushtet e planit të Annan, për të cilin duket se ai ka dhënë një miratim paraprak gjatë javës. Sidoqoftë, janë ende të paqarta se cilat do të ishin rrjedhojat në rast të një injorimi të ri të kërkesave ndërkombëtare.

”Do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë javës, sidomos në lidhje me planin e Annan dhe nëse nuk do të marrim një përgjigje pozitive nga Siria, do të tentojmë të gjejmë zgjidhje të tjera ndërkombëtare”, deklaroi Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davotuglu. Nga ana e saj, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, u shpreh se “fjala jo nuk është një përgjigje e vlefshme. Assad duhet të largohet menjëherë”.

Plani i OKB-së për paqen në Siri, i ndërmjetësuar nga Kofi Annan, përmban gjashtë pika:

1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian

2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët

3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti

4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare

5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët

6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.

Top Channel