Bisedimet Prishtinë-Beograd do të rinisin menjëherë pas zgjedhjeve të 6 majit në Serbi dhe pas formimit të qeverisë së re që do të dalë nga ky proçes.

Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Koçijançiç, e cila ka saktësuar se energjitika dhe telekomunikacioni janë çështjet që dy palët duhet të zgjidhin në raundin e ri të dialogut.

“Zgjidhja e problemeve në fushën e energjitikës dhe telekomunikacionit është një kusht që i është vënë Serbisë nga BE për marrjen e datës së nisjes së negociatave të anëtarësimit”, ka nënvizuar Koçijançiç.

Përsa u përket problemeve të verifikuara në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, zëdhënësja ka thënë se kjo nuk është më një çështje që varet nga BE, por nga organizatorët e takimeve.

“Në bazë të marrëveshjes, kjo është një çështje në dorën e organizatorëve të takimeve. Ne shpresojmë që ajo të respektkohet nga të dyja palët”, ka nënvizuar Koçijançiç.

Më tej ajo është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, të cilat sipas saj bien ndesh me rezolutën 1244, ndërsa është shprehur pro mbajtjes së atyre parlamentare.

“Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare sipas BE-së është e mundur. Aktualisht po diskutohet mundësia dhe mënyra se si do të mbahen ato në Kosovë”, ka shtuar zëdhënësja.

Gjithësesi, shtypi serb citoi të shtunën ministrin për Kosovën, Goran Bogdanoviç, që deklaroi tërheqjen e Serbisë nga plani për zgjedhjet lokale, duke deklaruar se mbajtja e tyre pa mbështetjen e UNMIK është e pamundur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA