Përmes një deklarate aktin e rrëmbimit të policëve kosovarë e ka dënuar edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë aktin e ulët të rrëmbimit të dy policëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

“Ne vlerësojme se akte të tilla kriminale, të motivuara nga struktura e mentalitete të vjetra e arkaike, nuk i shërbejnë aspak frymës së re të bashkëpunimit e fqinjësisë së mirë në rajon mes vendeve që aspirojnë të antarësohen në Bashkimin Evropian”, lexohet në deklaratë.

Ministria e Jashtme Shqiptare kërkon nga autoritetet përgjëgjese në Beograd të kthejnë në vendin e tyre policët e Republikës së Kosovës dhe të heqin dorë nga përsëritja e akteve të tilla në të ardhmen.

Aleanca Kuq e Zi, gjithashtu reagoi për ngjarjen e ndodhur në Merdarë, duke dënuar nëpërmjet një deklarate incidentin.

Sipas AK-së, “Beogradi është duke kërkuar konflikt dhe po provokon shqiptarët duke i ndaluar në kufi”.

Aleanca Kuq e Zi i bëri thirrje shtetit shqiptar dhe atij kosovar që t’i përgjigjen këtyre provokimeve të ashpra me vendosmëri.

Serbia arreston policët kosovarë

Policia serbe ka arrestuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Lajmin e
ka konfirmuar Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, sipas të
cilit, xhandarmëria serbe ka arrestuar rreth orës 10:30  në rajonin e
Merdarës, Shukri Binakun dhe Sami Beqirin.

Daçiç ka thënë se policët kosovarë kanë qenë në territorin e Serbisë dhe kanë kaluar linjën administrative. Ai ka saktësuar se ata kanë pasur pushkë automatike, dy pistoleta dhe pajisje për matjen e largësisë.

Sipas tij kjo është shkelje e marrëveshjes ushtarako-teknike të nënshkruar në Kumanovë në vitin 1999.

“Çfarë kanë kërkuar ata në territorin e Serbisë qendrore dhe në bazë të çfarë marrëveshje?”, ka pyetur Daçiç pasi ka takuar familjarët e policëve serbë të arrestuar në Kosovë dhe të liruar nga burgu.

Daçiç ka thënë se ka kontaktuar me UNMIK-un, KFOR-in dhe EULEX-in që të sqarojnë qëndrimet lidhur me këtë ngjarje. Daçiç ka paralajmëruar masa reciproke pas arrestimit të serbëve në Kosovë. Dy policët janë arrestuar pas dy personave që u arrestuan pak ditë më parë.

Arrestimet, Prishtina: Serbia rrëmbeu policët

“Agresion dhe rrëmbim”. I tillë është për Prishtinën zyrtare  arrestimi i policëve të Kosovës që po patrullonin në kufirin me Serbinë, në zonën e përgjegjësisë së tyre.  

Në një deklarim nëpërmjet telefonit për Top Channel, Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi thotë se  ky është rrëmbim pasi policët e Kosovës po patrullonin në zonën e gjelbër dhe nuk kishin kaluar në territorin e Serbisë.

“Është një akt tepër i papranueshëm, është një lloj agresioni, se kjo është një rrëmbim i patrullës policore të Kosovës, e cila ka patrulluar në vijën e gjelbër, e cila në asnjë mënyrë nuk ka kaluar në territorin e Serbisë. Por, në një pusi, ose pritë, nga xhandarmëria serbe i kanë kidnapuar dhe është plotësisht e papranueshme”, reagoi ministri Rexhepi.

Për më tepër, Rexhepi ka thënë se kjo shton tensione ndërshtetërore dhe se Daçiç vazhdon një politikë agresive të Millosheviçit.

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër arrestimin. Në një komunikatë arrestimi cilësohet një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë që cënon rëndë marrëveshjet e arritura dhe raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ju bën ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për t’i ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme. Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga qeveria e Serbisë që menjëherë dhe pa kushte, të lirojë policët kosovarë.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka cilësuar arrestimin e pjestarëve të Policisë së Kosovës si “sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës” dhe se sipas presidentes “Arrestimet e shpeshtuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës, nga autoritetet e Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë në vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve”.

Ashpër pas rrëmbimit të policëve të Kosovës, kanë reaguar edhe partitë politike.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, në reagimin e tij ka thënë se: “Ky është një lloj agresioni mbi vendin tonë, dhe cënim i sovranitetit të shtetit, sepse të arrestosh dy policë që mbrojnë kufirin tregon se Serbia është po e njëjta që ka qenë dhe për qasjen e tillë të Serbisë është më së miri të pyetet Qeveria e cila po bën dialog me të”.

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për media, duke iu referuar fotos se publikuar nga Serbia me  policët e kapur, e quan ate turpëruese dhe revoltuese. “Kjo foto të revolton pavarësisht rrethanave sepse ngjan më shumë me pengmarrje nga ana e ndonjë organizate terroriste se sa një veprim institucional midis dy aktorëve shtetërorë”, shkruan në reagimin e Vetëvendosjes, duke shtuar se “Qeveria e Kosovës me dialog me Serbinë ka dashur ta bindë popullin e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare se Serbia ka ndryshuar nga vitet nëntëdhjetë dhe se tani ajo e meriton statusin e kandidatit, më shumë duke bërë koncesione, sesa duke vendosur kushte për Serbinë”.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë për Top Channel se: “Ky është një akt më tepër për të treguar se Serbia nuk është reformuar dhe është po ajo Serbi, e cila, në vazhdimësi ka ndërhyrë në Kosovë, dhe po ashtu është rezultat i bisedimeve të dobëta të cilat e kanë ulur nivelin e funksionimit të shtetit të Kosovës”. 

Policët ende në burg

Dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rrëmbyer një ditë më parë nga xhandarmëria serbe vazhdojnë të mbahen në burgun e Prokupljes në Serbi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha nëpërmjet telefonit se është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjnë presionin maksimal për lirimin e tyre. Po kështu bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e KFORI-t dhe EULEX-it të cilat kanë konstatuar se policët kosovarë në momentin e rrëmbimit kanë qenë duke patrulluar në brendësi të territorit të Kosovës, ndërkaq që janë fotografuar në territorin e Serbisë.

Ekspertet e cështjeve të sigurisë vlerësojnë se Serbia theu ligjin duke hyrë në brendësi të territorit e jo pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Rrjedhimisht ata të cilët do të duhej të ishin të shtrirëe për tokë janë pjesëtarët e xhandarmërisë së Serbisë.
 
“Rasti duhet të ishte i kundërt, që xhandarmëria ose policia serbe duhet të ishte në prokurorinë kosovare. Ne duhet të bëjmë disa veprime shtesë. Nuk mjafton vetëm aktiviteti i kontrollit në pikat kufitare, por duhen trajnime shtesë për kontrollin e kufirit”, tha Agim Musliu, njohës i cështjeve të sigurisë.

Nëse i referohemi ligjit për Policinë e Kosovës, atëherë zyrtarët policorë kanë autorizim të patrullojnë kufirin, ta kontrollojnë trafikun ndërkufitar dhe t’i ekzaminojnë dokumentet për kalimin e kufirit.

Policia po kështu sipas ligjit është e autorizuar të ndërmarrë masa të nevojshme për t’i mbrojtur personat që mund t’i nënshtrohen cfarëdo këcënimi, armiqësie ose dhune lidhur me identitetin e tyre kombëtar.

Pavarësisht kësaj, në raste të tilla barra nuk i bie vetëm policisë. Kryetari i komisionit për siguri në Kuvendin e Kosovës, Ahmet Isufi tha se policia vepron në frymën e veprimit të qeverisë së Kosovës e cila vazhdimisht i nënshtrohet politikës së shtetit serb.

Nëpërmjet një komunikate rrëmbimin e policëve e ka dënuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja fton bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e botës demokratike, që t’i bëjnë trysni Beogradit zyrtar për ndaljen e provokimeve të tilla të rënda ndaj Kosovës.

Përvec arrestimeve, Serbia ka vështirësuar edhe qarkullimin e shqiptarëve të cilët vijnë nga vendet perëndimore sidomos në pikën kufitare të Merdarës.

 

Top Channel