Spanja nuk do të jetë një “tragjedi greke”

01/04/2012 09:05

Spanja shkurtoi buxhetin me 27 miliardë euro, si pjesë e masave më të ashpra të kursimit të njohura në historinë moderne të vendit.

Paketa që synon të rivendosë nën kontroll defiçitin e lartë buxhetor në vendin me papunësinë më të lartë brenda BE-së (24% e forcës punëtore), parashikon ngrirjen e pagave të sektorit publik dhe reduktimin e fondeve për Ministritë me 50% dhe investimet në tërësi me 17%.

Me qindra mijëra spanjollë kanë protestuar prej disa ditësh në mënyrë të dhunshme në rrugët e qyteteve kryesore të vendit, por kryeministri Mariano Rajoy është shprehur se këto masa të dhimbshme janë të domosdoshme për të shpëtuar vendin nga një kolaps i plotë i llojit grek.

Madridi shprehet se synon të grumbullojë 12,3 miliardë euro më shumë nga taksat që do të rëndojnë kryesisht mbi kompanitë e mëdha.

Nga ana e saj, zëvendëskryeministrja Soraya Saenz de Santamaria pranoi se “Spanja është në një situatë ekstreme. Është e domosdoshme që të vendosim nën kontroll financat pavarësisht kostove”.

Megjithatë, pavarësisht masave të ashpra të shkurtimit, ekziston dyshimi se këto masa nuk do të jenë të mjaftueshme për nxjerrë Spanjën nga kriza dhe për t’i ofruar partnerëve ndërkombëtarë të vendit sadopak garanci.

Në mars, kryeministri Mariano Rajoy ra dakord me Komisionin Europian që të reduktojë defiçitin spanjoll nga 8,5% në 5,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë 2012-s, por defiçiti vazhdon të mbetet ende shumë i lartë.

Pikat kryesore të planit të shkurtimeve

– Shkurtimi i fondeve për Ministritë deri me 50%
– Ngrirja e pagave të punonjësve të administratës dhe shërbimeve publike
– Rritje e eletricitetit me 7% dhe e gazit me 5%
– Ngrirje e shumës së ndihmës sociale për të papunët
– Ruajtja e normës aktuale të TVSH-së
– Pensionet nuk do të rriten, por do të indeksohen me inflacionin
– Rritje e taksave për koorporatat nëpërmjet heqjes së një sërë subvencionesh
– Amnisti për evazionin fiskal në rast të shlyerjes së 10% të vlerës së fshehur

Top Channel