Alexandre Pato është në listën e 23 futbollistëve të grumbulluar nga trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, në kuadër të çerekfinales ndaj Barcelonës, e vlefshme për Ligën e Kampioneve.
Sulmuesi brazilian është rikthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është i gatshëm për supersfidën e së martës ndaj katalanasve. Por, lajmi i keq për kuqezinjtë është mungesa në këtë takim e mesfushorit hollandez Mark van Bommel, i cili vuan nga një dëmtim në shpatull dhe nuk ka mundur dot të rekuperohet në kohë.
Të shtunën, shefi i mjekëve të Milanit, Jean Pierre Meersseman, ishte shprehur se Pato gëzonte një formë të mirë fizike dhe që ishte i gatshëm të grumbullohej. Numri 7 i kuqezinjve udhëtoi në Atlanta (SHBA) për të kuptuar arsyet e dëmtimeve të tij të shpeshta muskulore dhe vizitat e kryera kanë dhënë rezultat, sipas Meersseman.
Të gatshëm për Allegrin do të jenë edhe Alessandro Nesta e Clarence Seedorf, të cilët munguan në ndeshjen ndaj Catanias të shtunën.
Ja të grumbulluarit e Milanit për ndeshjen ndaj Barcelonës: Abbiati, Amelia, Piscitelli, Abate, Antonini, Bonera, De Sciglio, Mesbah, Mexes, Nesta, Zambrotta, Yepes, Ambrosini, Aquilani, Boateng, Emanuelson, Nocerino, Seedorf, El Shaarawy, Ibrahimovic, Maxi Lopez, Pato, Robinho.
Hollandezi Kuipers, arbitri i Barcelona-Milan
UEFA ka vendosur që arbitri i çerekfinales së kthimit mes Barcelonës dhe
Milanit, ndeshje që do të luhet në Camp Nou, do të jetë hollandezi
Bjorn Kuipers.
Ndeshja e parë çerekfinale e Ligës së Kampioneve mes këtyre dy ekipeve përfundoi me rezultatin 0-0 dhe gjithçka do të zgjidhet në Spanjë të martën në mbrëmje, ora 20.45.
Ndërsa norvegjezi Svein Oddvar Moen do të arbitrojë çerekfinalen tjetër të ditës së martë, atë mes Bayern Munchen dhe Olympique Marseille.
Në takimin e parë të zhvilluar në Francë, bavarezët fituan me rezultatin e pastër 2-0 duke hedhur kështu një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Champions.
Top Channel