Mali, rebelët pushtojnë Timbuktunë

01/04/2012 11:00

Separatistët tuaregë në Mali kanë rrethuar qytetin historik të Timbuktusë, pas një avancimi të shpejtë mëngjesin e së dielës në zonat veriore të vendit.

Dëshmitarët tahën për BBC se dëgjuan të shtëna armësh në periferi të qytetit. Nuk dihet se nga ana e kujt janë qëlluar, por besohet se ky ishte një reagim paralajmërues i një garnizoni ushtarak që ndodhet në afërsi.

Në faqen e tyre të internetit, rebelët tuaregë deklaruan se “do të përzënë përgjithmonë prezencën politike dhe ushtarake të qeverisë së Malit nga qyteti”.

Dy qëndra të tjera të rëndësishme urbane, Kidal dhe Gao, kanë rënë gjithashtu prej disa ditësh në duart e rebelëve. Me pushtimin e Timbuktusë, tashmë e gjithë zona veriore e vendit është në duart e tuaregëve dhe Mali është praktikisht i ndarë në dy pjesë.

Qeveria qëndrore nuk po arrin t’i kundërpërgjigjet avancimit të pandalshëm të rebelëve, të lehtësuar së fundmi edhe nga një grusht shteti, që solli si pasojë rrethanore çorganizimin e plotë të ushtrisë, e paaftë për të kundërshtuar ushtarakisht lëvizjen separatiste.

Sipas tuaregëve, ata janë të detyruar të shtyhen në kryengritje dhe të pretendojnë formimin e një shteti të ri të pavarur, pasi autoriteti qëndror në Bamako vazhdon t’i shpërfillë në mënyrë të vazhdueshme.

Top Channel