Egjipt, muslimanët me kandidat për president

01/04/2012 09:25

Vëllazëria Muslimane në Egjipt ka emëruar zëvendëspresidentin e tij, Khaira al-Shatir, si kandidatin zyrtar për zgjedhjet presidenciale të muajit maj.

Përzgjedhja e Shatir, kryefinanciar i partisë më të madhe politike në vend, përmbys një vendim të mëparshëm të Vëllazërisë për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Vendimi krijon shqetësime midis liberalëve, drejtuesve të fuqishëm ushtarakë dhe pakicës së krishterë, rreth marrjes së gjithmonë e më shumë pozitave kyç në shtet nga ana e partive islamike.

Përpara revolucionit egjiptian, al-Shatir kaloi 12 vite në burg për shkak të lidhjeve të tij me Vëllazërinë, një parti e ndaluar në kohën e regjimit të Mubarak.

Megjithatë, 62-vjeçari arriti të drejtonte edhe pas hekurave një biznes prej dhjetëra milionë dollarësh, duke u kujdesur njëkohësisht edhe për dhjetë fëmijët e tij.

Mediat në Egjipt e konsiderojnë më të rëndësishëm edhe se vetë kryetari, ndërsa ka financuar me paratë e tij fushatën elektorale parlamentare, në të njëjtën kohë që marrë vendime të rëndësishme strategjike për partinë.

Ndërsa Shatir dhe Vëllazëria shprehen formalisht pro lëvizjeve demokratike në vend dhe tregut të lirë, është i njohur edhe përkushtimi i tyre për të krijuar në Egjipt një shtet islamik.

Top Channel