Chavez, sërish në Kubë për trajtim

01/04/2012 10:10

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, është rikthyer në Kubë për t’iu nënshtruar një raundi të ri kurash kundër tumorit.

57-vjeçari do t’i nënshtrohet një seance radioterapie, pasi realizoi një operacion për të larguar një tumor të dytë në pjesën e legenit, në muajin shkurt.

Njeriu që drejton me “grusht të hekurt” Venezuelën që prej vitit 1999, shprehet se është i vendosur që të mposhtë sëmundjen vdekjeprurëse dhe të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të muajit tetor.

Megjithatë, natyra e tumorit të tij nuk është bërë kurrë e ditur dhe ekzistojnë zëra se situata e tij mund të jetë shumë më kritike nga sa pranohet zyrtarisht.

Më parë, Chavez ka pranuar se do t’i duhet të udhëtojë vazhdimisht në Kubë për trajtimin e tij, duke kërkuar që askush të mos alarmohet apo të spekulojë në lidhje me këto udhëtime.

57-vjeçari u diagnostikua me një tumor malinj në zonën e legenit në vitin 2011 dhe që prej atëherë i është nënshtrua dy operacioneve kirurgjikale, si dhe disa seancave të kimioterapisë dhe radioterapisë.

Në zgjedhjet e muajit tetor, Chavez, i cili kërkon një mandate të ri 6-vjeçar për të vazhduar “revolucionin socialist”, do të përballet me një kandidat të fortë nga opozita, liderin e saj, Henrique Capriles Radonski.

Top Channel