Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur një plan për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin në të dyja vendet e Ballkanit.

Lajmin e bën të ditur revista greke “Epikera”, e cila shkruan se Uashingtoni zyrtar është kujdesur që të ruajë sigurinë në Greqi, e tronditur nga kriza ekonomike dhe në Maqedoni, e tronditur nga incidentet ndëretnike.

“Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion Athinës dhe Shkupit për të zgjidhur sa më parë çështjen e emrit, e cila duhet të kalojë nën kontrollin e plotë të administratës amerikane”, shkruan “Epikera”.

Revista helene kujton më tej se në takimin e parë Gruevski-Papadhimos, kryeministri maqedonas kishte propozuar termat “Maqedonia Veriore” dhe “Maqedonia e Epërme” për përdorim dypalësh, opsione këto që janë hedhur poshtë nga homologu grek.

“Çështja e pranimit të Maqedonisë në NATO sigurisht që nuk do të hapet në samitin e Çikagos në muajin maj, megjithatë kjo nuk nënkupton se Greqia duhet të lirohet”, shkruan më tej revista.

Megjithatë, revista nuk e përjashton dërgimin e një sinjali pozitiv gjatë këtij evenimenti nga SHBA për afrimin e Maqedonisë me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Së fundmi autoritetet maqedonase kanë akuzuar ato greke se nuk kanë vullnet për zgjidhjen e çështjes së emrit, edhe për faktin se ato janë të përqendruar tek kriza ekonomike.

Bllokada helene ka bërë që Maqedonia të mos marrë dot datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, edhe pse Brukseli e ka dhënë dritën jeshile për këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA