Obama: Linja republikane, një marrëzi

31/03/2012 09:55

Presidenti amerikan Barack Obama, duke iu referuar administratës së mëparshme të presidentit George W. Bush, e ka cilësuar politikën ekonomike të republikanëve si “simptomën e një marrëzie”.

“Ata sillen sikur ne nuk e kemi provuar politikën e tyre, që nuk ka funksionuar, edhe në të kaluarën”, është shprehur shefi aktual i Shtëpisë së Bardhë.

“Ideja për të vazhduar për të bërë të njëjtën gjë, edhe pse e kemi provuar që nuk funksionon, është simptomë e një marrëzie”, ka shtuar presidenti i parë me ngjyrë në historinë e SHBA.

Obama ka përdorur kështu një retorikë të fortë pas asaj të përdorur së fundmi ndaj tij nga radhët e republikanëve që shpresojnë të fitojnë emërimin për të kandiduar në presidencialet e ardhshme.

Pak ditë më parë, në mediat ndërkombëtare u publikua një spot televiziv i kandidatit Rick Santorum, që tregonte një fshat nga një film horror, si simboli i Amerikës së presidentit Barack Obama.


Pamjet e “Obamaville”
, të realizuara në ngjyrë jeshile, tregonin një skenar nga një film me zombi: rrugë të shkreta, pemë pa gjethe, qiej kërcënues dhe një lisharës që rrotullohej në një kënd lojrash të boshatisur.

Ndërsa një zë që shoqëronte pamjet thoshte: “Ndërmarrjet e vogla po vuajnë dhe familjet janë të shqetësuara për vendet e punës dhe të ardhmen e tyre”.

Megjithatë, kur vjen fjala për të zgjedhur ndërmjet Barack Obamës dhe kandidatëve republikanë, votuesit në të paktën tre shtete të lëkundura amerikane do të preferonin presidentin aktual.

Top Channel