Mali, tërhiqen ushtarakët

31/03/2012 20:50

Pas presionit ndërkombëtar, vecanërisht të vendeve të Afrikës Perëndimore, udhëheqësit e juntës usharake në Mali, që rrëzuan pak ditë më parë presidentin e dalë nga zgjedhjet popullore, pohuan se janë të gatshëm të rikthejnë pushtetin tek në duart e civilëve.

“Ne nuk dëshirojmë mbajtjen e pushtetit më dhunë. Duhet një rikthim i rendit kushtetues, normal e të rregullt dhe në po diskutojmë për mënyrën se si do të rikthehet ky pushtet”, deklaroi nga Burkina Faso koloneli Musa Sinko, që ndodhet në vendin fqinj për të arritur një marrëveshje për tejkalimin e krizës institucionale.

Grushti ushtarak shpërtheu në Mali pas akuzave të disa ushtarakëve të mesëm për keqarmatosje të tyre nga ana e qeverisë në betejën me rebelët tuaregë në veri të vendit. Junta u udhëhoq nga një kapiten që u rrebelua për shkak të mungesës së armëve në luftën me tuaregët.

Ndërkohë, duke përfituar nga situata e krijuar, tributë tuarege kanë përparuar në jug të Malit duke pushtuar dy qytete të rëndësishme. Ata, pasi luftuan në Libi nën komandën e Gaddafit kundrejt pagesës, duket se janë rikthyer në zonat e tyre, tashmë të mirëarmatosur me armët e libiane dhe kërkojnë pavarësinë e Azauadit, sic e quajnë zonën ku jetojnë në veri të Malit.

Top Channel