Kush do të jetë krahu i djathtë i Romney-t?

31/03/2012 15:45

Gara në kampin republikan për përzgjedhjen e kandidatit që do të sfidojë Obamën në zgjedhjet presidenciale në vjeshtën e këtij viti, është drejt fundit dhe shumë amerikanë e analistë tashmë e kanë të njohur emrin e tij. Ai është Mitt Romney.

Ish-guvernatori i Masaçusets ka një avantazh të ndjeshëm ndaj ultra-konservatorit Rick Santorum dhe kjo e bën që të mendojë edhe për emrin e zv/presidentit, megjithëse ende jo zyrtarisht.

Mediat amerikane bëjnë një listë emrash të mundshëm që mund të jenë në krah të djathtë të Romney-t gjatë fushatës elektorale përballë presidentit aktual dhe kandidatit demokrat për një tjetër mandat, Barack Obama.

Emrat që qarkullojnë aktualisht janë persona me kontribut në kampin republikan, por dhe në politikën amerikane si guvernatori i Nju Xhersit Chris Christi,  senatori i Floridas Marco Rubio, anëtari i Kongresit Amerikan Paul Ryan dhe guvernatorja e Nju Meksikos, Susan Martinez, kjo e fundit me shpresën për të tërhequr sa më shumë vota nga elektorati spanjisht-folës.

Top Channel