Siri, vazhdon represioni, 31 të vrarë

30/03/2012 17:20

Të paktën 31 persona kanë mbetur të vrarë të shtunën në lokalitete të ndryshme të Sirisë, si pasojë e represionit të kryer nga forcat besnike të presidentit Bashar al Assad.

Lajmin e kanë bërë të ditur komitetet lokale për të drejtat e njeriut, sipas të cilave 12 nga viktimat kanë vdekur në Dair az Zor, shtatë në Dara, nga tre në Alepo, Idlib dhe Homs, dy në Damask dhe një në Hama.

Regjimi i Damaskut vazhdon kështu shtypien me dhunë të protestave popullore, pavarësisht apeleve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar, në veçanti Perëndimit.

Qeveria siriane pretendon se po godet grupe kriminale dhe terroriste të armatosura, të cilat sipas saj kanë si synim destabilizimin e vendit dhe futjen e tij në kaos.

Ditën e martë Kombet e Bashkuara deklaruan se qeveria siriane kishte rënë dakord për të pranuar planin e të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, një lajm ky që u prit me skepticizëm nga aktivistët anti-qeveritarë.

Por të mërkurën një zëdhënës qeveritar deklaroi për BBC se: “Që kur anëtarësimi ynë u pezullua, me vendet e tjera arabe do të mund të nënshkruajmë vetëm marrëveshje dypalëshe”.

“Për këtë arsye ne nuk do të bisedojmë dhe as do të pranojmë ndonjë iniciativë që rrjedh nga Liga Arabe në çdo lloj niveli”, nënvizoi Jihram Maqdessy.

Plani i Annan gjeti mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, të cilat më parë kanë kundërshtuar çdo rezolutë për Sirinë të propozuar në Këshillin e Sigurimit, duke ushtruar të drejtën e vetos.

Top Channel