Serbia ka injoruar zyrtarët e Brukselit, duke mos ia dërguar marrëveshjen e nënshkruar për menaxhimin e integruar të kufijve ndërmjetësit europian Robert Cooper.

Të paktën, këtë raportoi “Telegrafi” ditën e premte. “Sot dëgjova se Serbia ende nuk i ka dërguar ndërmjetësit evropian Robet Cooper, marrëveshjen e nënshkruar për menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshje e arritur më 24 shkurt gjatë dialogut me Prishtinën. Ajo marrëveshje ka qenë një nga arsyet kryesore përse Serbia mori statusin e kandidatit më 1 mars”, tha raportuesi për Serbinë Jelko Kacin.

Ai kujtoi se Prishtina ka dërguar versionin zyrtar të marrëveshjes së nënshkruar dhe ftoi Beogradin që të përmbushë detyrimin e tij dhe të dorëzojë dokumentin.

“Marrëveshja për menaxhimin integruar të kufijve është me rëndësi të madhe dhe Beogradi patjetër duhet të veprojë. Ftoj Qeverinë e Serbisë që ta dorëzojë këtë dokument dhe kështu të mbajë kredibilitetin dhe të tregojë përcaktimin ndaj implementimit të marrëveshjes”, është shprehur raportuesi për Serbinë, Jelko Kacin, të enjten në Parlamentin Europian.

Top Channel