Rrjedhje masive e informacionit të kartave bankare

30/03/2012 21:20

Dy prodhuesit dhe siguruesit e kartave bankare më të mëdhenj, MasterCard dhe Visa dhanë alarmin për një rrjedhje masive informacioni gjatë kryerjes së procedurave normale online në një kompani amerikane.

Si MasterCard, ashtu edhe Visa qetësuan të gjithë klientët e tyre teksa deklaruan se sistemet qendrore të tyre nuk ishin infektuar nga rrjedhja e informacionit.

Mediat amerikane flasin për rrjedhjen e informacionit të mbi 10 milion përdoruesve të kartave, si krediti ashtu edhe debiti. Ato flasin se informacioni u kompromentua nga kompjuterat e “Global Payments” (GPN). Përfaqësues e GPN refuzuan të komentojnë për lajmin në fjalë.

Saktësisht nuk dihet numri i kartave të kreditit dhe debitit të kompromentuara dhe as mënyra se si informacione, që për gjithësecilin janë personale dhe tepër sekrete, përfunduan në publik.

Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet dhe po punojnë në dy pista, e para që ka të bëjë me një avari në funksionimin e sistemit dhe e dyta në një sulm të mundshëm të piratëve informatikë.

Top Channel