Ajo që nisi si një thashethem, tashmë është konfirmuar: Casillas dhe Mourinho janë në një konflikt të hapur.
Ndonëse mosmarrëveshjet janë të vjetra, në ditët e fundit tensioni është rritur në maksimum, ndërsa klubi nuk përgënjeshtron asgjë, duke zgjedhur vetëm heshtjen.
Goli i pësuar nga kapiteni i kombëtares spanjolle në ndeshjen e fundit të kampionatit përballë Villarealit ishte tërësisht i evitueshëm dhe kjo vërteton se Casillas nuk është duke përjetuar një moment të mirë forme.
Ndonëse cilësitë e Iker nuk vendosen në diskutim, mësohet se Mourinho i ka kërkuar klubit blerjen e një portieri të dytë cilësor për të rritur konkurrencën në këtë repart dhe lajmi duket se nuk është pritur aspak mirë nga veterani.
Një tjetër çështje që ndan qëndrimet midis Mourinho dhe Casillas ka origjinë që gjatë verës së shkuar, kur Casillas u vendos në kontakt me Xavi dhe Puyol për t’i kërkuar falje në emër të Realit, për gjestin në të cilin Mou i futi gishtin në sy zëvendëstrajnerit të Barcelonës.
Ky veprim nuk u përjetua aspak mirë nga trajneri portugez, që e konsideroi gjestin e kapitenit si një shkelje të hapur të autoritetit të tij dhe si rrjedhojë e ndëshkoi duke e lënë në stol gjatë ndeshjeve të Turneut Bernabeu.
Sipas së përditshmes “AS”, në muajt që kanë pasuar, Mou ka ndikuar në izolimin e vazhdueshëm të Casillas nga pjesa tjetër e grupit të Realit të Madridit dhe kjo ka bërë që konflikti i hedhur, tashmë të bëhet gjithmonë e më i qartë.
Top Channel