Pakistan, 100 mijë të shpërngulur nga lufta

30/03/2012 17:45

Komisioni i OKB-së për refugjatët, UNHCR, vlerëson se janë mbi 100 mijë personat që janë arratisur nga fshatrat në veri-perëndim të Pakistanit, si pasojë e luftimeve mes ushtrisë dhe rebelëve.

“Rreth 101.160 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, rezulton të jenë shpërngulur që prej 20 janarit, kur trupat qeveritare nisën operacionet e sigurisë në rajonin e Khiberit”, ka deklaruar një zëdhënës.

Sipas përfaqësuesit të UNHCR, Khiber është një rajon tribal ku veprojnë grupe të ndryshme talebanësh, të cilët disponojnë sasi të mëdha armatimi.

Së fundmi qarkullojnë zëra për një luftë për pushtet në radhët e guerrilasve, sidomos pas shkarkimit të numrit dy të organizatës rebele në fillim të muajit.

Burime brenda talebanëve thanë për BBC se Maulvi Faqir Mohammad, i konsideruar si numri dy i organizatës në Pakistan, ishte ulur në hierarki pas një mbledhjeje të këshillit të lartë taleban.

Megjithatë, asnjë arsye nuk u dha për këtë ndryshim në strukturën e grupit. Mohammad nuk është zëvendësuar ende në funksionin që kryente.

Zëdhënësi i talebanëve pakistanezë, të njohur ndryshe si Tehrik-e-Taliban Pakistan, ishte ai që kontaktoi BBC për t’i dhënë lajmin. Ai shtoi se kryesia pritet t’i besojë së shpejti Mohammad një tjetër rol brenda organizatës.

Sipas ekspertëve, një lëvizje e tillë është provë për betejën e ashpër që po zhvillohet për pushtet brenda grupit, me talebanët që janë përçarë në fraksione që prej vrasjes së liderit të mëparshëm, Baitullah Mehsud, në gusht 2009.

Top Channel