Demokratët dhe socialistët vendosën me konsensus të miratojnë në parim amendamentet që ndryshojnë rrënjësisht numërimin e votave, duke e shndërruar atë për herë të parë në historinë e Shqipërisë në një proçes të numërimit elektronik.

Ndryshimet sanksionojnë se: “numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit nuk do të bëhet më nga njerëzit, por nga një sistem i quajtur Sistemi Elektronik i Numërimit”. Mbetet ende për t’u përcaktuar proçedura e numërimit me dorë për fletët e votimit që sistemi i nxjerr të diskutueshme.

Sipas amendamenteve të miratuara me konsensus, do të jetë ky sistem elektronik, që: “nëpërmjet aparaturave dhe programeve të ndryshme informatike, do të realizojë në mënyrë automatike dhe të pavarur numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit, si dhe do të jetë ky sistem elektronik që do të nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”.

Sanksionimi tjetër i rëndësishëm që bën njëri nga nenet e miratuara në parim nga komisioni i reformës zgjedhore është se: “përdorimi i këtij sistemi elektronik do të caktohet me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Rëndësia qëndron tek fakti se vendimi i KQZ-së nuk do të jetë vendim me shumicë të thjeshtë, por ai do të kërkojë shumicë të cilësuar. Që do të thotë konsensus të detyrueshëm në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ky amendament zbulon edhe një gjë tjetër shumë të rëndësishme. Se me rikompzimin e pritshëm, zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së nga partitë politike nuk do të ndryshojë. Kjo kishte mbetur pa u sqaruar zyrtarisht nga tryeza e disa ditëve më parë për reformimin e administratës zgjedhore.

Përveçse amendamentet detajojnë me imtësi çdo hap për kontrollin elektronik të çdo flete votimi dhe ruajtjes së imazhit të saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve detyrohet me ligj që, në prani të medias dhe subjekteve të interesuara, të testojë sistemin elektronik të numërimit të votave 2 muaj para datës së zgjedhjeve.

Top Channel