Nadal tërhiqet nga turneu i Miami-t

30/03/2012 20:20

Rafael Nadal është tërhequr nga turneu i Miami-t, Mastersi i dytë i sezonit tenistik, për shkak të problemeve me gjurin. Tenisti spanjoll duhet të luante të premten kundër skocezit Andy Murray për gjysmëfinalet e turneut.

“Më vjen shumë keq për tifozët e mi, për ata që janë këtu në Miami dhe për të gjithë ata që prisnin të shikonin ndeshjen nga televizori. Nuk jam në gjendje për të luajtur”, shkroi Nadal në Twitter.

Numri 2 i botës shfaqi probleme edhe më parë gjatë turneut. Në ndeshjen e 1/8 të finaleve ndaj Kei Nishikori, Nadal kërkoi ndihmën e mjekut gjatë takimit. Spanjolli sqaroi më pas se kishte një dëmtim në gju që i ishte shfaqur në turneun Indian Wells dhe që e shqetësonte shumë.

Në këtë mënyrë, Andy Murray kalon automatikisht në finalen e turneut të Miami dhe do të presë fituesin e gjysmëfinales Novak Djokovic-Juan Monaco.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA