Mallra serbe me vulë “Kosovo/UNMIK”

30/03/2012 16:50

Disa institucione kosovare të udhëhequra nga Dogana e Kosovës kanë denoncuar të premten importin nga Serbia të mallrave të përcaktuara për Kosovën, të cilat mbajnë vulën “Kosovo/UNMIK”.

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar menjëherë duke deklaruar se importi i produkteve me këtë vulë është i papranueshëm dhe bie ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës.

“U bëjmë thirrje përfaqësuesëve kosovarë të kompanive serbe që importojnë nga Serbia, që të mos lejojnë më aktivitete të tilla që bien ndesh me ligjin”, thuhet në një komunikatë të OEK.

Institucioni në fjalë vlerëson se, praktika të tilla janë kundër interesave të bizneseve dhe ekonomisë kosovare, si dhe kundër promovimit të vlerave të pavarësisë së Kosovës.

Vitin e kaluar u regjistrua një përplasje e ngjashme mes Serbisë dhe Kosovës, pasi Beogradi nuk lejonte hyrjen e mallrave kosovare që mbanin vulën “Republika e Kosovës”.

Një veprim i tillë detyroi qeverinë e Prishtinës që të aplikonte masa reciproke ndaj mallrave serbe, të cilat qëndruan në fuqi derisa mes palëve u arrit një marrëveshje.

Top Channel